Sahihu i Buhariut — Hadithi 604
1. Nënkapitulli: Zanafilla e thirrjes së ezanit
Allahu i Lartëmadhëruar ka thënë: “Thirrjen (ezanin) tuaj për namaz ata e konsiderojnë si tallje dhe lojë. Me këtë vërtetojnë se janë popull që nuk kupton.” (Maide, 58) “... kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë...” (Xhumua, 9)
604. Nga: Abdullah ibn Omeri
Mahmud ibn Gajlani na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, kur muslimanët erdhën në Medinë, tuboheshin kur ua merrte mendja se ishte koha e namazit. Pra, nuk thirrej ezani. Një ditë, biseduan rreth kësaj çështjeje, e në atë rast disa thanë: “Përdorni një kambanë, sikurse kambanat e të krishterëve.” Disa të tjerë thanë: “Jo, përdoreni borinë, sikurse hebrenjtë.” Omeri tha: “A nuk do të ishte më mirë që një njeri të thërriste për namaz?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Bilal! Ngrihu dhe thirr për namaz.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 604
Fjalë të panjohura?