10. Ezani
1. Nënkapitulli: Zanafilla e thirrjes së ezanit
Allahu i Lartëmadhëruar ka thënë: “Thirrjen (ezanin) tuaj për namaz ata e konsiderojnë si tallje dhe lojë. Me këtë vërtetojnë se janë popull që nuk kupton.” (Maide, 58) “... kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë...” (Xhumua, 9)
603. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Imran ibn Mejsera na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Halid Hadhai, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se (kur deshën të vendosnin për thirrjen e namazit) propozuan ta përdornin zjarrin dhe kambanën, por iu kujtuan hebrenjtë dhe të krishterët. Pastaj, Bilali u urdhërua ta thërrasë ezanin, duke i përsëritur fjalët në çift (nga dy herë) dhe ikametin në tek (nga një herë).
604. Nga: Abdullah ibn Omeri
Mahmud ibn Gajlani na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fillim, kur muslimanët erdhën në Medinë, tuboheshin kur ua merrte mendja se ishte koha e namazit. Pra, nuk thirrej ezani. Një ditë, biseduan rreth kësaj çështjeje, e në atë rast disa thanë: “Përdorni një kambanë, sikurse kambanat e të krishterëve.” Disa të tjerë thanë: “Jo, përdoreni borinë, sikurse hebrenjtë.” Omeri tha: “A nuk do të ishte më mirë që një njeri të thërriste për namaz?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Bilal! Ngrihu dhe thirr për namaz.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 604
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Shqiptimi i fjalëve të ezanit nga dy herë
605. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Simak ibn Atije, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Bilali u urdhërua ta thërrasë ezanin në çift, kurse ikametin në tek, përveç fjalëve: “Kad kameti salatu (të thuhen çift).”
606. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e këtij i ka rrëfyer Halid Hadhai, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u shtua numri i njerëzve (muslimanëve në Medinë), u kërkua që koha e namazit të lajmërohej me diçka të njohur. U përmend ndezja e zjarrit dhe rënia e kambanës. Pastaj, Bilali u urdhërua ta thërrasë ezanin në formën çift, kurse ikametin në formën tek.”
3. Nënkapitulli: Shqiptimi i fjalëve të ikametit bëhet nga një herë, përveç fjalëve: "Kad kameti salatu"
607. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Bilali u urdhërua ta thërrasë ezanin në formën çift, kurse ikametin në formën tek.
Ismaili tregon se e ka pyetur Ejubin (rreth kësaj), e ai i ka thënë: “Përveç fjalëve: “Kad kameti salatu (të thuhen çift).”
4. Nënkapitulli: Vlera e thirrjes së ezanit
608. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ezani për namaz, shejtani largohet duke liruar gazra, që të mos e dëgjojë ezanin. Pasi të kryhet ezani, kthehet (dhe qëndron) derisa të thirret ikameti për namaz, e në atë rast ikën sërish. Pas ikametit, vjen sërish e ndërhyn mes njeriut dhe mendjes së tij (i pëshpërit), duke i thënë: “Kujtoje këtë e kujtoje atë!”, gjëra këto që nuk i kujtoheshin më herët, derisa ta bëjë njeriun të harrojë sa rekate i ka falur.”
5. Nënkapitulli: Ngritja e zërit gjatë thirrjes së ezanit
Omer ibn Abdulazizi ka thënë: "Ose thirre ezanin lehtë (dhe mirë), ose largohu (mos e thirr)."
609. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Saësa Ensar Maziniu, se babai i tij Abdullah ibn Abdurrahmani tregon se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “Kam vënë re se i pëlqen bagëtitë dhe fushat. Kur të jesh te bagëtitë ose nëpër fusha dhe e thërret ezanin, ngrije zërin, sepse nuk ndodh ta dëgjojë zërin tënd ndonjë xhin, njeri ose diçka tjetër, e të mos dëshmojë për ty Ditën e Kiametit.”
Pastaj, Ebu Seidi tha: “Këtë e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
6. Nënkapitulli: Si ndikon ezani në evitimin e derdhjes së gjaqeve?
610. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ donte të luftonte ndonjë popull, priste deri në mëngjes dhe vrojtonte. Nëse e dëgjonte ezanin, ndalej, e, nëse nuk e dëgjonte ezanin, i sulmonte.
Kur arritëm në Hajber, ishte natë. Kur agoi, Pejgamberi ﷺ nuk dëgjoi ezanin, andaj hipi në kafshën e tij. Unë hipa mbrapa Ebu Talhait, e këmba ime e prekte këmbën e Pejgamberit ﷺ. Banorët e Hajberit na dolën me mjetet e tyre të punës dhe, kur e panë Pejgamberin ﷺ, filluan të thërrasin: “Muhamedi, betohemi në Allahun! Muhamedi me ushtri.”
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ i pa kështu, tha: “Allahu ekber! Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”
7. Nënkapitulli: Çfarë duhet thënë kur dëgjon ezanin?
611. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ata ibn Jezid Lejthiu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ta dëgjoni ezanin, përsëritni ato që i thotë muezini.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 611
Fjalë të panjohura?
612. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim ibn Harithi se Isa ibn Talhai tregon se një ditë e dëgjoi Muaviun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke e përsëritur ezanin deri te fjalët: “Eshhedu ene Muhameden Resulullah (dëshmoj se Muhamedi është i dërguar i Allahut).”
613. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Is'hak ibn Rahavejhu na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, ngjashëm. Jahjai thotë: “Disa vëllezër tanët më kanë treguar se ai (Isa ibn Talhai) ka thënë (për Muaviun): “Kur arriti te fjalët: “Haje alasalah (Ejani në namaz), tha: “La havle ve la kuvete ila bilah (Nuk ka ndryshim e as fuqi përveçse me Allahun).” Pastaj (Muaviu) tha: “Kështu e kemi dëgjuar Pejgamberin tuaj ﷺ duke thënë.”
8. Nënkapitulli: Duaja që thuhet pas ezanit
614. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Shuajb ibn Ebu Hamzai, e ky nga Muhamed ibn Munkediri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që, pasi ta dëgjojë ezanin, thotë: “Allahume rabe hadhihi daveti tameti ve salatil kaimeti, ati Muhamedenil vesilete vel fadilete, veb athhu mekamen mahmudenil ledhi veadtehu (O Allah, Zot i kësaj thirrjeje të përsosur dhe këtij namazi që po falet, jepja Muhamedit ndërmjetësimin dhe mirësinë. Ngrije në pozitën e lartë, - Mekami Mahmud, - të cilën ia ke premtuar), e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kiametit.”
9. Nënkapitulli: Hedhja e shortit për thirrjen e ezanit
Përmendet se disa persona u ngatërruan mes vete për shkak të ezanit, andaj Sadi hodhi short mes tyre (cili ta thërriste ezanin).
615. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur njerëzit ta dinin çfarë (shpërblimi) përmban ezani dhe safi i parë, e për këtë të mos u mbetej asnjë zgjidhje tjetër përveçse duke hedhur short mes vete, atëherë do ta bënin. Po ashtu, sikur ta dinin çfarë përmban vajtja herët për namaz, do të garonin për të. Sikur ta dinin çfarë përmban namazi i jacisë dhe i sabahut, do të venin për t'i falur, qoftë dhe zvarrë.”
10. Nënkapitulli: Të folurit (e myezinit) gjatë thirrjes së ezanit
Sulejman ibn Suradi, teksa po e thërriste ezanin, foli (diçka jashtë ezanit). Hasen Basriu ka thënë: "Nuk prish punë nëse dikush qesh teksa thërret ezanin ose ikametin."
616. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, Abdulhamidi, shoku i Zijadit, dhe Asim Ahveli, se Abdullah ibn Harithi tregon se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ligjëroi në një ditë (të premte) me shi (dhe toka ishte bërë lloç). Kur muezini (gjatë ezanit) arriti te fjalët: “Haje alasalah, e urdhëroi (që në vend të këtyre fjalëve) të thërrasë: “Faluni në shtëpitë tuaja!” Njerëzit filluan të shikonin njëri-tjetrin, e ai u tha: “Këtë gjë e ka vepruar ai që ishte më i mirë se unë (Pejgamberi ﷺ), ndërkohë xhumaja është farz.”
11. Nënkapitulli: Ezani i të verbrit nëse ka dikë që e informon rreth kohës së ezanit
617. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu, se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi.”
Abdullahu thotë: “Ai (Ibn Umu Mektumi) ka qenë i verbër e nuk e thërriste ezanin pa i thënë ndokush: “Po zbardh agimi, po zbardh agimi.”
12. Nënkapitulli: Ezani pas agimit
618. Nga: Hafsa bint Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Abdullah ibn Omeri se Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, pasi muezini e përfundonte ezanin dhe zbardhte agimi, i Dërguari i Allahut ﷺ i falte dy rekate të shkurtra para se të thirrej ikameti për namaz.
619. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ në namazin e sabahut i falte dy rekate të shpejta, mes ezanit dhe ikametit.
Referenca: Sahihu i Buhariut 619
Fjalë të panjohura?
620. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi.”
13. Nënkapitulli: Ezani para agimit
621. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Sulejman Tejmiu, e ky nga Ebu Othman Nehdiu se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos e ndërpresë syfyrin kur e dëgjon ezanin e Bilalit, sepse ai e thërret ezanin gjatë natës, që ta lajmërojë atë që është duke u falur dhe atë që është duke fjetur, e nuk e lajmëron hyrjen e agimit ose të sabahut” - dhe bëri me shenjë me gishtërinj, duke i ngritur vertikalisht, e pastaj edhe horizontalisht.
Zuhejri bëri me dy gishtërinjtë tregues, njërin-mbi-tjetrin, pastaj i zgjati në të djathtën dhe në të majtën e tij.
622. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Abdullah ibn Omeri
622, 623 - Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Usame, e Ubejdullahu ka thënë se ky na ka treguar nga Kasim ibn Muhamedi, e ky nga Aishja. Po ashtu, Nafiu transmeton nga Ibn Omeri se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë; [t]: Jusuf ibn Isa Merveziu më ka thënë: Na ka treguar Fadli, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Bilali e thërret ezanin gjatë natës (para agimit), andaj hani e pini derisa ta thërrasë ezanin Ibn Umu Mektumi.”
623. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Abdullah ibn Omeri
622, 623
14. Nënkapitulli: Sa duhet pritur mes ezanit dhe ikametit?
624. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Is'hak Vasitiu na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e ky nga Xhurejriu, e ky nga Ibn Burejde se Abdullah ibn Mugafel Muzeniu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Mes dy ezaneve (ezanit dhe ikametit) ka namaz, - e tha tri herë, - për atë që dëshiron.”
625. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Amër ibn Amir Ensariun se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, pasi muezini e thërriste ezanin e akshamit, disa shokë të Pejgamberit ﷺ nxitonin te shtyllat (e xhamisë), për t'i falur dy rekate, derisa Pejgamberi ﷺ dilte për namaz (farz). Ndërkaq, mes tyre (ezanit dhe ikametit) nuk kishte dhe aq kohë.
Othman ibn Xhebele dhe Ebu Davudi transmetojnë nga Shuëbe (se Enesi ka thënë): “Mes tyre kishte vetëm pak kohë.”
15. Nënkapitulli: Ai që e pret thirrjen e ikametit
626. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur muezini e përfundonte ezanin e sabahut, i Dërguari i Allahut ﷺ i falte dy rekate të shpejta, para namazit të sabahut, pasi agimi qartësohej. Pastaj, shtrihej në krahun e djathtë, derisa muezini e thërriste për ikamet.”
16. Nënkapitulli: Ndërmjet dy ezaneve (ezanit dhe ikametit) ka namaz, për atë që do
627. Nga: Abdullah ibn Mugafel Muzeniu
Abdullah ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Kehmes ibn Haseni, e ky nga Abdullah ibn Burejde se Abdullah ibn Mugafeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mes dy ezaneve (ezanit dhe ikametit) ka namaz. Mes dy ezaneve ka namaz.” - Pastaj, herën e tretë, tha: - “Për atë që dëshiron.”
17. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë: Në udhëtim le ta thërrasë ezanin vetëm një myezin
628. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Malik ibn Huvejrithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vajta te Pejgamberi ﷺ me një grup njerëzish nga fisi im, ku qëndruam tek ai për njëzet net. Ai ishte i mëshirshëm dhe i butë, andaj, kur na pa se jemi përmalluar për familjet tona, na tha: “Shkoni dhe qëndroni me ta, mësojini dhe faluni me ta. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndonjëri prej jush, si dhe le t'ju prijë në namaz më i vjetri prej jush.”
18. Nënkapitulli: Nëse udhëtarët janë grup (njerëzish), e thërrasin ezanin dhe ikametin, edhe në Arafat dhe Muzdelife
Fjalët e myezinit (gjatë ezanit): "Faluni në shtëpitë tuaja, thuhen në netët e ftohta ose me shi."
629. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Muhaxhir ibn Ebu Haseni, e ky nga Zejd ibn Vehbiu se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në një rrugëtim së bashku me Pejgamberin ﷺ, muezini deshi ta thërrasë ezanin, por Pejgamberi ﷺ i tha: “Prit, derisa të freskohet.” Sërish, kur ai deshi ta thërrasë, Pejgamberi ﷺ i tha: “Prit, derisa të freskohet.” Edhe për së treti, Pejgamberi ﷺ i tha: “Prit, derisa të freskohet.” Kur hija e kodrinës filloi të dallohej, Pejgamberi ﷺ tha: “Të nxehtët e tepërt është pjesë e afshit të Xhehenemit.”
630. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Halid Hadhai, e ky nga Ebu Kilabe se Malik ibn Huvejrithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, dy burra donin të udhëtonin, andaj erdhën te Pejgamberi ﷺ, i cili u tha: “Kur të dilni për rrugë, thirreni ezanin e më pas ikametin, e le të prijë në namaz më i vjetri prej jush.”
631. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur erdhëm te Pejgamberi ﷺ, ishim të rinj dhe bashkëmoshatarë. Qëndruam tek ai njëzet ditë. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte i mëshirshëm dhe i butë, andaj, kur na pa se ishim përmalluar për familjet tona, na pyeti se kë kemi lënë mbrapa, e ne i treguam. Më pas, na tha: “Kthehuni te familjet tuaja dhe qëndroni me ta. Mësojini ata dhe urdhërojini për të mirë.” - Përmendi edhe gjëra të tjera, disa prej të cilave nuk më kujtohen -. Ai, po ashtu, tha: “Faluni, ashtu siç më keni parë mua duke u falur. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin ndokush prej jush dhe le t'ju prijë në namaz më i vjetri nga mesi juaj.”
632. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahjai, e ky nga Ubejdullah ibn Omeri se Nafiu tregon se një natë të ftohtë, në Daxhnan, Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e thirri ezanin dhe tha: “Faluni në shtëpitë tuaja!” Pastaj na tregoi se i Dërguari i Allahut ﷺ në netët e ftohta ose me shi, gjatë udhëtimit, e urdhëronte muezinin që pas ezanit të thërriste: “Faluni në shtëpitë tuaja!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 632
Fjalë të panjohura?
633. Nga: Ebu Xhuhejm Ensariu
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Xhafer ibn Avniu, e këtij i ka treguar Ebu Umejsi, e ky nga Avni ibn Ebu Xhuhajfe se babai i tij Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ në Ebtah, kur Bilali erdhi ta thërrasë për namaz. Kur doli, Bilali mbante një shkop, të cilin e nguliti në tokë, përpara të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe e thirri ikametin për namaz.”
19. Nënkapitulli: A duhet myezini ta kthejë fytyrën dhe të shikojë në të djathtë e në të majtë gjatë ezanit?
Tregohet se Bilali i vendoste gishtat në vesh (gjatë ezanit). Ibn Omeri nuk i vendoste gishtat në vesh (gjatë ezanit). Ibrahim Nehaiu ka thënë: "Nuk prish punë nëse thirret ezani pa abdes." Atai ka thënë: "Të qenët me abdes (gjatë ezanit) është legjitime dhe sunet." Aishja ka thënë: "Pejgamberi ﷺ e përmendte Allahun (bënte dhikër) në çfarëdo gjendjeje që ishte."
634. Nga: Ebu Xhuhajfe Suvaiu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Avni ibn Ebu Xhuhajfe, se babai i tij Ebu Xhuhajfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka parë Bilalin duke e thirrur ezanin, e në atë rast e kthente kokën në të djathtë e në të majtë.
20. Nënkapitulli: Thënia: “Na iku namazi”
Ibn Sirini e urrente të thuhet: "Na iku namazi, por thoshte se duhet të thuhet: "Nuk e zumë namazin, sepse fjala e Pejgamberit ﷺ është më e qëlluar."
635. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po faleshim me Pejgamberin ﷺ, u dëgjuan zërat e disa burrave duke hyrë në xhami (nga ngutja). Kur e kreu namazin, Pejgamberi ﷺ i pyeti:
- “Ç'është puna juaj?”
- U ngutëm që ta arrijmë namazin, - iu përgjigjën.
- “Mos e përsëritni! Kur të vini për namaz, jini të qetë. Pjesën e arritur të namazit faleni, kurse atë që ju ikën, plotësojeni”, - u tha Pejgamberi ﷺ.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 635
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Të mos vrapojë për namaz, por le të shkojë qetë dhe pa nxitim
Ebu Katadja transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pjesën e arritur të namazit faleni, e atë që ju ikën, plotësojeni.”
636. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi, e ky nga Ebu Hurejra; [t]: Zuhriu transmeton nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur ta dëgjoni ikametin, shkoni në namaz, duke ecur të qetë dhe me modesti, e mos u ngutni. Pjesën e arritur të namazit faleni, e atë që ju ikën, plotësojeni.”
22. Nënkapitulli: Kur duhet të ngrihen njerëzit për t’u falur në rast se e shohin imamin gjatë ikametit?
637. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Muslim ibn Ibrahimi na ka treguar se Hishami ka thënë: Jahja më ka shkruar nga Abdullah ibn Ebu Katadja, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ikameti, të mos ngriheni, derisa të më shihni mua (se jam ngritur).”
23. Nënkapitulli: Mos u ngrit me nguti për namaz, por ngrihu qetë dhe pa nxitim
638. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja, se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të thirret ikameti, të mos ngriheni, derisa të më shihni mua, si dhe ruajeni qetësinë.”
Këtë transmetim e fuqizon transmetimi i Ali ibn Mubarekut.
24. Nënkapitulli: A bën të dilet prej xhamisë për ndonjë arsye (pasi të thirret ikameti)?
639. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Salih ibn Kejsani, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ doli (për namaz), ndërkohë ikameti ishte thirrur dhe safat ishin drejtuar. Kur ai u pozicionua në vendin e tij, ne pritëm të merrte tekbirin, por u largua dhe tha: “Qëndroni në vendet tuaja!”
Ne pritëm, ashtu siç ishim, derisa Pejgamberi ﷺ u kthye, ndërsa flokët i pikonin ujë, sepse ishte larë.
25. Nënkapitulli: Nëse imami thotë: "Qëndroni në vendet tuaja derisa të kthehem, duhet pritur derisa të kthehet."
640. Nga: Ebu Hurejra
Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Jusufi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, u thirr ikameti e njerëzit u rreshtuan nëpër safa, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe u pozicionua përpara, mirëpo rastisi të ishte xhunub, andaj tha: “Qëndroni në vendet tuaja!” Kështu, shkoi për t'u pastruar dhe, kur u kthye, koka ende i pikonte ujë. Pastaj ua fali namazin.”
26. Nënkapitulli: Thënia: Nuk jemi falur.
641. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky e ka dëgjuar Ebu Selemen se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Hendekut Omeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun se, nuk arrita ta fal ikindinë, përveçse pak para perëndimit të diellit.” Kjo po ndodhte atëherë kur dielli veçse kishte perënduar. Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Allahun se unë ende nuk e kam falur.”
Pastaj, Pejgamberi ﷺ zbriti në But'han, e bashkë me të edhe unë. Mori abdes dhe e fali ikindinë pasi dielli kishte perënduar. Pastaj e fali edhe akshamin.”
27. Nënkapitulli: Nëse imamit i shfaqet ndonjë nevojë pas thirrjes së ikametit
642. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mamer ibn Abdullah ibn Amri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Abdulaziz ibn Suhejbi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë, u thirr ikameti për namaz, kurse Pejgamberi ﷺ po diskutonte me një burrë në qoshe të xhamisë. Qëndroi me të aq gjatë, saqë njerëzit filluan të koteshin.”
28. Nënkapitulli: Të folurit pasi të thirret ikameti
643. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai se Humejdi tregon se e pyeti Thabit Bunaniun rreth atij që flet pasi të thirret ikameti për namaz. Ai tha: “Më ka treguar Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se, një natë, pasi u thirr ikameti për namaz, një njeri i vajti Pejgamberit ﷺ dhe e zuri pasi që ikameti veçse ishte thirrur.”
29. Nënkapitulli: Obligueshmëria e namazit me xhemat
Haseni ka thënë: "Edhe nëse nëna, nga dhembshuria, e ndalon fëmijën e vet prej namazit të jacisë me xhemat, ai nuk duhet t’i bindet."
644. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se më ka shkuar mendja që të porosis dikë për të ndezur një zjarr, pastaj të thirret ezani dhe dikush t'u prijë njerëzve në namaz. Ndërkohë, unë të shkoj te disa persona e t'ua djeg shtëpitë. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im se, sikur atyre t'ua merrte mendja se do të fitonin ndonjë copë mishi ose thundra delesh, do të vinin për jaci.”
30. Nënkapitulli: Vlera e namazit me xhemat
Kur Esvedi nuk e zinte namazin me xhemat, shkonte në ndonjë xhami tjetër (me shpresë se do ta zinte xhematin). Njëherë, Enesi shkoi në një xhami, ku namazi tashmë ishte falur. Ai e thirri ezanin e ikametin dhe u fal me xhemat.
645. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi me xhemat është njëzet e shtatë gradë më i vlefshëm sesa namazi që falet vetëm.”
646. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Lejthiu, e këtij i ka treguar Ibn Hadi, e ky nga Abdullah ibn Hababi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Namazi me xhemat është njëzet e pesë gradë më i vlefshëm sesa namazi që falet vetëm.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 646
Fjalë të panjohura?
647. Nga: Ebu Hurejra
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Ebu Salihun se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Të falesh me xhemat është njëzet e pesëfish më e vlefshme sesa të falesh në shtëpi ose në dyqan. Kjo, se, kur personi merr abdes në formë të përkryer dhe niset për xhami, duke pasur në mendje vetëm namazin, për çdo hap që hedh, ngrihet një gradë e i fshihet një gjynah. Pasi të falet, për aq sa të qëndrojë në xhami, melekët luten vazhdimisht për të, duke thënë: “O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!” Njeriu llogaritet se është duke u falur për aq sa është duke e pritur namazin.”
31. Nënkapitulli: Vlera e namazit të sabahut me xhemat
648. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Namazi me xhemat është njëzet e pesë gradë më i vlefshëm se namazi që falet vetëm. Melekët e natës dhe ditës tubohen gjatë namazit të sabahut.” Pastaj Ebu Hurejra tha: “Nëse doni, lexojeni ajetin: “... Vërtet, për namaz të sabahut (gjatë leximit të Kuranit) prezantojnë shumë (melekë).” (Isra, 78)
649. Nga: Abdullah ibn Omeri
Shuajbi ka thënë: Më ka treguar Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se, namazi me xhemat është njëzet e shtatë gradë më i vlefshëm sesa namazi që falet vetëm.
650. Nga: Umu Derda
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky e ka dëgjuar Salimin se Umu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Ebu Derdai erdhi në shtëpi i hidhëruar, andaj e pyeta:
- Çfarë ke që je i hidhëruar?
- Betohem në Allahun se nuk di që ka mbetur diçka prej umetit të Muhamedit ﷺ, përveç namazit me xhemat, - tha Ebu Derdai.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 650
Fjalë të panjohura?
651. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Alai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Burejd ibn Abdullahu, e ky nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Personi që më së shumti shpërblehet për namaz është ai që e ka më së largu xhaminë. Dhe, ai që pret të falet me imamin, shpërblehet më shumë sesa ai që falet dhe fle (nuk pret të falet me xhemat).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 651
Fjalë të panjohura?
32. Nënkapitulli: Vlera e faljes së namazit të drekës në fillim të kohës
652. Nga: Ebu Hurejra
Kutejbe na ka treguar nga Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekrit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një njeri ecte nëpër një rrugë, hasi në një degë me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu i ishte mirënjohës për këtë, andaj ia fali mëkatet.”
653. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shehidët ndahen në pesë lloje:
1. Ai që vdes nga murtaja,
2. Ai që vdes nga dhimbjet e barkut,
3. I mbyturi në ujë,
4. Ai që vdes nga shembja (e ndonjë objekti) dhe
5. Shehidi në rrugën e Allahut.”
Po ashtu, ai ka thënë: “Sikur ta dinin njerëzit çfarë (shpërblimi) përmban ezani dhe safi i parë, e për këtë të mos u mbetej asnjë zgjidhje tjetër (për ta arritur atë shpërblim), përveçse duke hedhur short mes vete, atëherë do të hidhnin short.”
654. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “E sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) ka vajtja herët për namaz, do të garonin për të. Sikur ta dinin çfarë përmban namazi i jacisë dhe ai i sabahut, do të venin, qoftë dhe zvarrë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 654
Fjalë të panjohura?
33. Nënkapitulli: Llogaritja e shpërblimit për çdo hap (të hedhur drejt namazit)
655. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdullah ibn Haushebi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O fisi benu selime! A nuk po e llogaritni shpërblimin për gjurmët tuaja (hapat që bëni për të ardhur në xhami nga larg)?”
Muxhahidi, duke komentuar ajetin: “... Ne i shënojmë veprat e tyre, madje edhe gjurmët e tyre...”, (Jasin, 12) ka thënë: “Pra, hapat e tyre.”
656. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Jahja ibn Ejubi, e këtij i ka treguar Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se fisi benu selime donin ta ndërronin vendbanimin e tyre e të vendoseshin më afër Pejgamberit ﷺ. Por, i Dërguari i Allahut ﷺ nuk pëlqente që pjesë të Medinës të mbeteshin të zbrazëta, andaj u tha: “A nuk po e llogaritni shpërblimin për gjurmët tuaja?”
Muxhahidi ka thënë: “Hapat tuaj janë gjurmët tuaja dhe ecja në këmbë nëpër tokë.”
34. Nënkapitulli: Vlera e namazit të jacisë me xhemat
657. Nga: Ebu Hurejra
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka namaz më të vështirë për hipokritët sesa namazi i sabahut dhe ai i jacisë. Sikur ta dinin çfarë (shpërblimi) përmbajnë këto dy namaze, do të vinin, qoftë dhe zvarrë. Më ka shkuar mendja që të porosis muezinin ta thërrasë ikametin dhe të vendos dikë t'u prijë njerëzve në namaz, ndërkohë unë të marr disa pishtarë dhe t'ua djeg shtëpitë atyre që nuk dalin për namaz.”
35. Nënkapitulli: Dy e më shumë persona konsiderohen xhemat
658. Nga: Malik ibn Huvejrithi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ebu Kilabe se Malik ibn Huvejrithi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të vijë koha e namazit, thirreni ezanin dhe ikametin, e le t'ju prijë në namaz më i vjetri prej jush.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 658
Fjalë të panjohura?
36. Nënkapitulli: Shpërblimi i atij që qëndron në xhami duke e pritur namazin dhe vlera e xhamive
659. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për atë që qëndron në xhami, duke qenë me abdes, melekët luten dhe thonë: “O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!” Njeriu llogaritet se është në namaz për aq kohë sa është duke e pritur namazin, përderisa nuk e pengon asgjë për t'u kthyer në shtëpi, përveç pritjes së namazit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 659
Fjalë të panjohura?
660. Nga: Ebu Hurejra
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Hubejb ibn Abdurrahmani, e ky nga Hafs ibn Asimi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shtatë lloj personash Allahu do t'i strehojë në hijen e Tij, ditën kur nuk ka hije përveç hijes së Tij:
1. Prijësin e drejtë;
2. Të riun, i cili rritet duke adhuruar Allahun;
3. Atë që e ka zemrën të lidhur me xhamitë;
4. Dy persona që duhen mes vete për Allah, bashkohen dhe ndahen vetëm për Të;
5. Personin që një grua e bukur dhe me famë e fton për imoralitet, porse ai ia kthen: “Unë i frikohem Allahut";
6. Atë që, kur jep lëmoshë, e fsheh, saqë dora e majtë nuk di sa ka dhënë e djathta; dhe
7. Personin, i cili, kur e përmend Allahun duke qenë në vetmi, i lotojnë sytë.”
661. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi se Humejdi tregon se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është pyetur:
- A mbante unazë i Dërguari i Allahut ﷺ?
- Po, - tha Enesi.
Një mbrëmje, Pejgamberi ﷺ e vonoi namazin e jacisë deri në mesnatë. Pasi e fali atë, u kthye nga ne dhe tha: “Njerëzit e tjerë janë falur dhe kanë fjetur, ndërkaq juve, për aq sa e keni pritur namazin, ju është llogaritur (shpërblimi) sikur të ishit në namaz.”
Më kujtohet si sot tek shikoja shkëlqimin e unazës së Pejgamberit ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 661
Fjalë të panjohura?
37. Nënkapitulli: Shpërblimi i atij që shkon e kthehet nga xhamia mëngjes e mbrëmje
662. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Haruni, e këtij i ka rrëfyer Muhamed ibn Mutarrifi, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që shkon e vjen prej xhamisë, Allahu, sa herë që ai shkon e vjen, i përgatit një gosti në Xhenet.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 662
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Kur thirret ikameti, nuk ka namaz tjetër përveç atij farz
663. Nga: Abdullah ibn Malik ibn Buhajne
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij, e ky nga Hafs ibn Asimi, e ky nga Abdullah ibn Malik ibn Buhajne se ka thënë: Pejgamberi ﷺ kaloi pranë një personi dhe i tha; [t]: Abdurrahmani më ka thënë: Na ka treguar Behz ibn Esedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Sad ibn Ibrahimi, e ky e ka dëgjuar Hafs ibn Asimin të ketë thënë: Një burrë nga Ezdi, i cili quhej Abdullah ibn Malik ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një burri, i cili, pasi u thirr ikameti, po i falte dy rekate. Me të përfunduar namazi, njerëzit u grumbulluan rreth këtij personi, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua: “A e fale sabahun katër rekate? A e fale sabahun katër rekate?”
Transmetimin e Malikut e përforcojnë Gunderi dhe Muadhi, nga Shuëbe. Ibn Is'haku ka thënë: “Sad ibn Hafsi transmeton nga Abdullah ibn Buhajne.” Hamadi ka thënë: “Na ka rrëfyer Sad ibn Hafsi këtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 663
Fjalë të panjohura?
39. Nënkapitulli: Deri në çfarë mase i lejohet të sëmurit të mos prezantojë në xhemat?
664. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi se Esvedi tregon: “Ishim tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe përmendëm përkushtimin për faljen e rregullt të namazit dhe respektin ndaj tij, kurse ajo na tha: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u sëmur në fund të jetës së tij e, kur erdhi koha e namazit dhe u thirr ezani, tha: “Urdhërojeni Ebu Bekrin t'u prijë njerëzve në namaz.” Dikush i tha: “Ebu Bekri është shumë i ndjeshëm, andaj, kur të zëvendëson ty, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin (nga të qarët).” Ai e përsëriti kërkesën, e ato ia kthyen të njëjtën përgjigje. Herën e tretë, pasi iu përgjigjën njëjtë, u tha: “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë njerëzve namazin!” Ebu Bekri nisi t'u printe njerëzve në namaz. Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ndie më lehtë, andaj doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh dy burra, ndërsa këmbët i shkonin zvarrë nga sëmundja. Ebu Bekri (kur e pa) deshi të tërhiqej, por Pejgamberi ﷺ ia bëri me shenjë të qëndronte ku ishte dhe e afruan Pejgamberin ﷺ, derisa e ulën pranë Ebu Bekrit.
E pyetën Ameshin: “Pra, Pejgamberi ﷺ falej, e Ebu Bekri e përcillte namazin e tij, kurse njerëzit e përcillnin namazin e Ebu Bekrit, apo jo?” Ai iu përgjigj duke bërë po me kokë.
Ebu Muaviu, në transmetim prej Ameshit, shton: “Pejgamberi ﷺ u ul në të majtë të Ebu Bekrit, kurse Ebu Bekri falej në këmbë.”
665. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua sëmundja, u kërkoi leje grave të tij për t'u mjekuar në shtëpinë time, e ato e lejuan. Një ditë, me ndihmën e Abasit dhe një burri tjetër, doli në xhami duke e mbajtur për krahësh, ndërsa këmbët i shkonin zvarrë.
Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se fjalët e Aishes ia përmendi Ibn Abasit, e në atë rast ai e pyeti:
- A e di kush ishte personi të cilit Aishja nuk ia ka përmendur emrin?
- Jo, - i thashë.
- Ai ishte Ali ibn Ebu Talibi, - tha Ibn Abasi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 665
Fjalë të panjohura?
40. Nënkapitulli: Lehtësimet për t'u falur në shtëpi në rast të shiut ose të ndonjë arsyeje të ngjashme
666. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në një natë të ftohtë dhe me shtrëngatë, e thirri ezanin për namaz dhe tha: “Faluni në shtëpitë tuaja!” Më pas tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e urdhëronte muezinin që në netët e ftohta dhe me shi të thërriste: “Faluni në shtëpitë tuaja!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 666
Fjalë të panjohura?
667. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Mahmud ibn Rebi Ensariu se Itban ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i printe popullit të vet në namaz, ndonëse ishte i verbër. Andaj, të Dërguarit të Allahut ﷺ i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ndonjëherë nata është shumë e errët dhe ka vërshime, ndërsa unë jam i verbër, a mund të vish e të falesh në shtëpinë time, që më pas unë të mund ta shfrytëzoj për vendfalje?” Kur i Dërguari i Allahut ﷺ vajti, e pyeti:
- “Ku dëshiron të falem?”
Ai e drejtoi te një pjesë e shtëpisë, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ u fal.