Sahihu i Buhariut — Hadithi 63

Nënkapitulli: Leximi para mësuesit të hadithit

Hasani, Thevriu dhe Maliku e përkrahin mendimin se leximi para mësuesit të hadithit është i lejuar. Disa prej tyre kanë marrë për argument hadithin e Dimam ibn Thalebës, i cili i kishte thënë Pejgamberit ﷺ: A të ka urdhëruar Allahu që t’i falim namazet? Ai i kishte thënë: “Po.” Pra, kemi të bëjmë me lexim para Pejgamberit ﷺ, të cilin Dimami ia kishte transmetuar popullit të tij, të cilët e kishin pranuar. Maliku ka marrë për argument dëshminë (aktin) e shkruar, e cila u lexohet njerëzve dhe ata thonë: Na ka bërë dëshmitarë filani, ndërkohë pjesa e dëshmisë vetëm u lexohet atyre. Po ashtu, kur lexohet para mësuesit të Kuranit, lexuesi (nxënësi) thotë: Ma ka lexuar filani (mësuesi). Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Hasen Vasitiu, e ky nga Aufi, e ky nga Haseni se ka thënë: Nuk prish fare punë të lexohet para dijetarit. Muhamed ibn Jusuf Ferabriu na ka rrëfyer: Na ka treguar Muhamed ibn Ismail Buhariu se: Ubejdullah ibn Musa na ka treguar se Sufjani ka thënë: Kur lexohet para mësuesit të hadithit, nuk ka gjë të keqe të thuhet: Më ka treguar ai; dhe tha: E kam dëgjuar Ebu Asimin duke transmetuar nga Maliku dhe Sufjani se kanë thënë: Leximi i nxënësve para dijetarit, ndërsa ai dëgjon, dhe leximi i dijetarit para nxënësve, ndërsa ata dëgjojnë, është i njëjtë.

63. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid Makburiu, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa një ditë rrinim ulur me Pejgamberin ﷺ në xhami, hyri një burrë i hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?” Pejgamberi ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur.”

O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua beduini.

- “Urdhëro”, - tha Pejgamberi ﷺ.

- Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro.

- “Pyet çfarë të duash”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit?

Pejgamberi ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!”

- Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës?

- “Po, betohem në Allahun se ashtu është.

- Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai.

“Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

- Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë?

- “Po, betohem në Allahun se ashtu është.

Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit.”

Hadithin e transmetojnë edhe: Musai dhe Ali ibn Abdulhamidi nga Sulejmani, e ky nga Thabiti, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 63

Fjalë të panjohura?