Sahihu i Buhariut — Hadithi 65
7. Nënkapitulli: Çka përmendet për metodën e njohur të transmetimit të haditheve të quajtur Munavele dhe Përcjellja e diturisë mes dijetarëve të vendeve të ndryshme nëpërmjet letërkëmbimit
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: "Othmani i ka shumëzuar mus’hafet dhe i ka dërguar nëpër vende të ndryshme." Këtë veprim Abdullah ibn Omeri, Jahja ibn Seidi dhe Maliku e kanë konsideruar të lejuar. Disa dijetarë të Hixhazit, për vlefshmërinë e përcjelljes së diturisë nëpërmjet metodës el munavele, janë argumentuar me veprimin e Pejgamberit ﷺ kur i shkroi (i dha me vete) komandantit të çetës një letër dhe i tha: "Mos e lexo derisa të arrish në filan vendin." Kur arriti te vendi i përcaktuar, ua lexoi njerëzve dhe i lajmëroi për urdhrin e Pejgamberit ﷺ."
65. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Mukatili dhe Ebu Haseni na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Njëherë Pejgamberi ﷺ shkroi, - ose ka thënë: donte të shkruante, - një letër, por të pranishmit i thanë: “Ata i lexojnë vetëm letrat e vulosura.” Kështu, Pejgamberi ﷺ mori një unazë argjendi, gdhendur në të mbishkrimin “Muhamed, Resul, Allah (Muhamedi, i Dërguari i Allahut)”. Sikur po e shoh tani bardhësinë shkëlqyese të asaj unaze në dorën e tij.”
I thashë Katades: “Kush ka thënë: “... gdhendur në të mbishkrimin “Muhamed, Resul, Allah”? Katadja tha: “Enesi.”