Sahihu i Buhariut — Hadithi 684
48. Nënkapitulli: Teksa dikush u prin njerëzve në namaz e në atë moment vjen imami kryesor, e në atë rast i pari tërhiqet ose vazhdon, namazi sërish është i vlefshëm
Këtë e transmeton Aishja nga Pejgamberi ﷺ.
684. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Hazim ibn Dinari se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te fisi i Amër ibn Aufit për t'i pajtuar mes vete. Në anën tjetër, kur u afrua koha e namazit, muezini i vajti Ebu Bekrit dhe e pyeti:
- A të thërras ikametin e ti t'ua falësh njerëzve namazin?
- Po, - tha Ebu Bekri.
Duke qenë në namaz, erdhi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe kaloi nëpërmjet safave, derisa arriti në të parin. Njerëzit filluan ta lajmëronin Ebu Bekrin, duke u rënë shuplakave, por ai nuk shpërqendrohej prej namazit. Kur u ranë më tepër shuplakave, shikoi dhe e pa të Dërguarin e Allahut ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ ia bëri me shenjë për të qëndruar aty ku ishte. Ebu Bekri i çoi duart dhe e falënderoi Allahun për atë që i Dërguari i Allahut ﷺ e urdhëroi, pastaj u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf. I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi përpara dhe, pasi ua fali namazin, tha:
- “O Ebu Bekër! Çfarë të pengoi të rrije aty ku ishe pasi të urdhërova?”
- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë Pejgamberit ﷺ në namaz, - tha Ebu Bekri.
Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
- “Ç'është puna juaj që u bini shuplakave ashtu? Nëse dikush dyshon diçka në namaz (të imamit), le të thotë “subhanallah”, sepse ashtu tërheq vëmendjen. Ndërkaq, rrahja e shuplakave është për gratë.”