Sahihu i Buhariut — Hadithi 6865
1. Nënkapitulli: Ajeti: “Kushdo që mbyt një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi...”
6865. Nga: Mikdad ibn Amër Kindiu
Abdani na ka thënë: Na ka treguar Abdullahu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ata ibn Jezidi, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Adiu se Mikdad ibn Amër Kindiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), aleat i fisit benu zuhre dhe pjesëmarrës në Bedër me të Dërguarin e Allahut ﷺ, tregon se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, nëse më ndodh të takoj një jobesimtar e të luftoj me të, ndërkohë më bie me shpatë e ma pret dorën dhe pastaj mbrohet nga unë pas një peme dhe thotë: “I jam nënshtruar Allahut!” A ta vras, vallë, pasi ta thotë këtë?”
- “Mos e vrit!” - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut, ai më preu njërën dorë dhe ato fjalë i tha pasi ma preu dorën, e të mos e vras? - përsëriti Mikdadi.
- “Mos e vrit, se, po e vrave, ai do të vijë në pozitën që kishe ti para se ta vrisje, ndërsa ti do të vije në pozitën që kishte ai para se t'i thoshte ato fjalë”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.”