Sahihu i Buhariut — Hadithi 687

51. Nënkapitulli: Imami duhet të pasohet

Në kohën e sëmundjes së vdekjes, Pejgamberi ﷺ ua fali njerëzve namazin duke qenë ulur. Ibn Mesudi ka thënë: "Nëse dikush ngrihet para imamit (e parakalon atë), duhet të kthehet sërish (në pozitën paraprake) dhe të qëndrojë për aq kohë sa e ka parakaluar imamin, pastaj ta përcjellë atë. Haseni, për atë që fal namaz dyrekatësh me imamin dhe nuk arrin të bjerë në sexhde (për shkak të kallaballëkut), ka thënë: "Pasi imami ta kryejë namazin, personi i bën dy sexhde për rekatin e fundit, pastaj ngrihet për ta kompensuar rekatin e parë me dy sexhde. Ndërkaq, ai që e harron një sexhde dhe ngrihet për rekatin tjetër, sexhden e bën më pas."

687. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Musa ibn Ebu Aishe se Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe tregon: “Shkova tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e i thashë: “Më trego diçka rreth sëmundjes së të Dërguarit të Allahut ﷺ.” Ajo tha: “Po, patjetër. Kur Pejgamberit ﷺ iu rëndua sëmundja, pyeti:

- “A janë falur njerëzit?”

- Jo, po të presin ty, - i thamë.

Pastaj tha: “Ma mbushni vaskën me ujë.” Ia mbushëm dhe u la. Kur deshi të ngrihej në këmbë, i ra të fikët. Pasi u kthjell, pyeti:

- “A janë falur njerëzit?”

- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.

- “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha Pejgamberi ﷺ. Pasi u la, deshi të ngrihej, por sërish i ra të fikët. Kur u kthjell, pyeti sërish:

- “A janë falur njerëzit?”

- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.

- “Ma mbushni vaskën me ujë”, - tha ai.

Dhe, pasi u la, sërish tentoi të ngrihej, por i ra të fikët. Kur u kthjell, pyeti:

- “A janë falur njerëzit?”

- Jo, po të presin ty, o i Dërguari i Allahut! - i thamë.

Ndërkohë, njerëzit ende ishin në xhami duke e pritur Pejgamberin ﷺ për namazin e jacisë. Kështu, dërgoi dikë tek Ebu Bekri që t'i thoshte për t'ua falur njerëzve namazin. Kur i erdhi lajmi, Ebu Bekri, si person i ndjeshëm që ishte, i tha Omerit:

- O Omer, falua ti.

- Ti je më meritor për këtë punë, - i tha Omeri.

Gjatë atyre ditëve, Ebu Bekri u printe njerëzve në namaz. Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ndie më lehtë dhe doli për namazin e drekës, me ndihmën e dy burrave, njëri prej të cilëve ishte Abasi, ndërkohë Ebu Bekri po ua falte njerëzve namazin. Kur e pa, Ebu Bekri deshi të tërhiqej mbrapa, por Pejgamberi ﷺ ia bëri me shenjë të qëndronte aty ku ishte. Përcjellësve u tha: “Më ulni pranë tij.” E ulën anash Ebu Bekrit. Ebu Bekri falej në këmbë duke e përcjellë namazin e Pejgamberit ﷺ (i cili falej) ulur, kurse njerëzit faleshin duke e përcjellë Ebu Bekrin.

Ubejdullahu thotë: “Shkova tek Abdullah ibn Abasi dhe i thashë:

- A të të tregoj çfarë më ka rrëfyer Aishja rreth sëmundjes së Pejgamberit ﷺ?

- Tregomë, - tha Ibn Abasi.

Ia tregova tërë hadithin e Aishes dhe nuk mohoi asgjë, përveçse tha:

- A ta ka përmendur emrin e burrit që ishte së bashku me Abasin (që i ndihmuan Pejgamberit ﷺ për të dalë në xhami)?

- Jo, - i thashë.

- Ai ishte Ali ibn Ebu Talibi, - tha ai.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 687

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?