Sahihu i Buhariut — Hadithi 688
51. Nënkapitulli: Imami duhet të pasohet
Në kohën e sëmundjes së vdekjes, Pejgamberi ﷺ ua fali njerëzve namazin duke qenë ulur. Ibn Mesudi ka thënë: "Nëse dikush ngrihet para imamit (e parakalon atë), duhet të kthehet sërish (në pozitën paraprake) dhe të qëndrojë për aq kohë sa e ka parakaluar imamin, pastaj ta përcjellë atë. Haseni, për atë që fal namaz dyrekatësh me imamin dhe nuk arrin të bjerë në sexhde (për shkak të kallaballëkut), ka thënë: "Pasi imami ta kryejë namazin, personi i bën dy sexhde për rekatin e fundit, pastaj ngrihet për ta kompensuar rekatin e parë me dy sexhde. Ndërkaq, ai që e harron një sexhde dhe ngrihet për rekatin tjetër, sexhden e bën më pas."
688. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ ankohej nga disa plagë, andaj u fal në shtëpinë e tij duke qenë ulur, kurse një grup njerëzish u falën mbrapa tij në këmbë. Ua bëri me shenjë, që të uleshin, dhe, pasi e kreu namazin, u tha: “Imami duhet pasuar: kur të bjerë në ruku, bini edhe ju; kur të ngrihet, ngrihuni edhe ju; kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh”, thoni: “Rabena ve lekel hamd"; nëse ai falet ulur, edhe ju faluni ulur.”