Sahihu i Buhariut — Hadithi 6886
14. Nënkapitulli: Kisasi për plagët që mashkulli i shkakton femrës dhe anasjelltas
Dijetarët kanë thënë: "Mashkulli ekzekutohet për femrën." Tregohet se Omeri ka thënë: "Femra ekzekutohet për mashkullin, në çdo vrasje të qëllimshme që rezulton me humbje jete ose shkaktim plagësh." Këtë mendim e kishte edhe Omer ibn Abdulazizi, Ibrahimi dhe Ebu Zinadi. Motra e Rebias i shkaktoi plagë një njeriu, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Të zbatohet kisasi.”
6886. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur Pejgamberi ﷺ lëngonte në sëmundjen e vdekjes, i dhamë ilaç me imponim (në qoshe të gojës). Ai na thoshte: “Mos më jepni ilaç!” Ne thoshim: “Është reagimi i të sëmurit nga antipatia prej ilaçit.” Por, kur u kthjell, na tha: “Askush prej jush të mos mbetet pa marrë ilaç në këtë formë, përveç Abasit, se ai nuk ishte i pranishëm!”