Sahihu i Buhariut — Hadithi 6896

21. Nënkapitulli: Nëse një grup qëllon një person, a duhet të dënohen të gjithë?

Mutarrifi transmeton se Shabiu ka treguar: "Dy persona dëshmuan për një tjetër se kishte vjedhur, andaj Aliu ia këputi dorën. Pastaj, ata dy sollën një tjetër dhe thanë se kemi gabuar (me të parin)." Kështu, Aliu e anuloi dëshminë e tyre dhe ua kërkoi shpagimin për dorën e të parit, pastaj tha: "Sikur ta dija se këtë e keni bërë me qëllim, juve do t'jua këpusja duart."

6896. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëherë, një djalosh u vra fshehurazi, e në atë rast Omeri tha: “Sikur të kishin marrë pjesë tërë banorët e Sanasë (në vrasjen e tij), do t'i ekzekutoja të gjithë!”
Mugire, i biri i Hakimit, transmeton se babai i tij ka thënë: “Katër persona kishin vrarë një fëmijë, e në atë rast Omeri ka thënë...” njëjtë sikurse fjalët e mësipërme.
Ebu Bekri, Ibn Zubejri, Aliu dhe Suvejd ibn Mukarrini kanë gjykuar me hakmarrje edhe për një shuplakë.
Omeri ka gjykuar me hakmarrje për goditjen me shkop.
Aliu ka gjykuar me hakmarrje në rast të tri goditjeve me shkop.
Shurejhu ka marrë hak për goditje me kamxhik dhe gërvishtje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6896

Fjalë të panjohura?