Sahihu i Buhariut — Hadithi 6897
21. Nënkapitulli: Nëse një grup qëllon një person, a duhet të dënohen të gjithë?
Mutarrifi transmeton se Shabiu ka treguar: "Dy persona dëshmuan për një tjetër se kishte vjedhur, andaj Aliu ia këputi dorën. Pastaj, ata dy sollën një tjetër dhe thanë se kemi gabuar (me të parin)." Kështu, Aliu e anuloi dëshminë e tyre dhe ua kërkoi shpagimin për dorën e të parit, pastaj tha: "Sikur ta dija se këtë e keni bërë me qëllim, juve do t'jua këpusja duart."
6897. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ebu Aishe, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut ﷺ lëngonte në sëmundjen e vdekjes, i dhamë ilaç me imponim (në qoshe të gojës). Ai na bënte me shenjë: “Mos më jepni ilaç!” Ne thoshim: “Është reagimi i të sëmurit nga antipatia prej ilaçit.” Por, kur u kthjell, na tha: “A nuk ju ndaloja të më jepnit ilaç?!” Ne i thamë: “Mendonim se ishte reagim i të sëmurit nga antipatia për ilaçet.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Askush në shtëpi të mos mbesë pa marrë ilaç, - para syve të mi, - përveç Abasit, se ai nuk ishte i pranishëm!”