Sahihu i Buhariut — Hadithi 6899

22. Nënkapitulli: Betimi kolektiv

Eshath ibn Kajsi tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ose bjeri dy dëshmitarë, ose ai do të betohet.” Ibn Ebu Mulejke ka thënë: "Muaviu nuk ka gjykuar me hakmarrje në rast të betimit kolektiv." Omer ibn Abdulazizi i shkroi Adij ibn Ertahut, të cilin e kishte caktuar prijës në Basra, për një të vrarë i cili ishte gjetur në njërën nga shtëpitë e shitësve të vajit, ku i tha: "Nëse shokët e tij gjejnë ndonjë argument (merr hak për të), përndryshe mos u bëj padrejtësi njerëzve, se për të (padrejtësinë) nuk gjykohet deri në Ditën e Kiametit."

6899. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Bishr Ismail ibn Ibrahim Esediu, e këtij i ka treguar Haxhaxh ibn Ebu Othmani, e këtij i ka treguar Ebu Rexhai, prej familjes së Ebu Kilabes, se Ebu Kilabe tregon: “Një ditë, Omer ibn Abdulazizi i hapi dyert për njerëzit dhe u dha leje për të hyrë. Ndërkohë, ai i pyeti: “Çfarë thoni për betimin kolektiv?”
- Betimi kolektiv është hakmarrje dhe është legjitim, sepse me të kanë gjykuar halifët e drejtë, - i thanë ata.
Pastaj mua më tha: “Ç'thua ti, o Ebu Kilabe?” - dhe më vendosi para njerëzve. Unë thashë: “O prijës i besimtarëve, ti i ke udhëheqësit e ushtrive dhe prijësit e arabëve, çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person të martuar në Damask se ka bërë zina, porse nuk e kanë parë, a do ta gurëzoje?”
- Jo, - tha ai.
- Çka mendon po qe se pesëdhjetë prej tyre të dëshmojnë për një person në Homs se ka vjedhur, pa e parë, a do t'ia prisje dorën? - e pyeta.
- Jo, - tha ai.
- Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka vrarë ndokënd përveç për këto tri arsye:
1. Një person që ka vrarë dikë (padrejtësisht), atëherë është ekzekutuar,
2. Një të martuar që ka bërë zina dhe
3. Një person që e lufton Allahun e të Dërguarin e Tij dhe bëhet renegat nga Islami, - i thashë unë.
Disa të pranishëm thanë: “A nuk na ka treguar Enes ibn Maliku se i Dërguari i Allahut ﷺ ka këputur dorë për shkak të vjedhjes dhe ua ka damkosur sytë disa kriminelëve, të cilët më pas i pati lënë në diell?” Unë u thashë: “Do t'jua tregoj unë rrëfimin e Enesit: Enesi më ka treguar se një grup prej tetë personash nga Ukli shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ia dhanë besën për Islam. Meqë nuk iu përshtat klima e vendit, ata u sëmurën, andaj u ankuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili u tha: “Përse nuk shkoni me bariun tonë te devetë e tij e të pini prej qumështit dhe urinës së deveve?”
- Posi, - thanë ata.
Kështu, ata shkuan, pinë qumësht e urinë të deveve dhe u shëruan. Por, më pas e mbytën bariun e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i morën devetë. Posa i Dërguari i Allahut ﷺ u informua për këtë, dërgoi dikë pas tyre, derisa i kapën dhe ia sollën pranë. Pejgamberi ﷺ urdhëroi që t'u priten duart dhe këmbët, t'u nxirren sytë e pastaj i la në diell derisa vdiqën.
Unë thashë: “A ka diçka më të rëndë sesa ajo që kanë vepruar ata? Janë bërë renegatë nga Islami, vranë dhe vodhën?”
Anbese ibn Seidi tha: “Betohem në Allahun se kurrë nuk i kam dëgjuar këto gjëra!”
- Vallë, po ma refuzon transmetimin, o Anbese? - iu drejtova.
- Jo. Ti e rrëfeve ngjarjen ashtu si është. Betohem në Allahun se kjo ushtri do të jetë në mirësi përderisa ky plak është në mesin e tyre, - tha Anbese.
Unë thashë: “Rreth kësaj, ka një ndodhi me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Njëherë, një grup ensarësh shkuan te Pejgamberi ﷺ dhe ndenjën duke biseduar. Kur njëri prej tyre doli jashtë, dikush e vrau. Shokët e tij i shkuan pas për ta gjetur të zhytur në gjak.” Rrjedhimisht, u kthyen tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, shoku ynë që rrinte me ne, doli më herët, por e gjetëm të zhytur në gjak. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Për kë mendoni se e ka vrarë?
- Mendojmë se hebrenjtë e kanë vrarë, - i thamë.
Kështu, ai i thirri hebrenjtë dhe u tha: “A ju e keni vrarë këtë?”
- Jo, - i thanë ata.
- “A pajtoheni që pesëdhjetë hebrenj të betohen se nuk e kanë vrarë?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ ensarët.
Ensarët thanë: “Ata edhe sikur të na vrisnin të gjithëve, nuk brengosen të betohen (rrejshëm).”
Pejgamberi ﷺ tha: “A doni të merrni shpagim duke u betuar pesëdhjetë prej jush?”
- Ne nuk betohemi, - thanë ata.
Kështu, Pejgamberi ﷺ vetë e shpagoi gjakun e tij.
Ebu Kilabe vazhdon: “Fisi hudhejl pati braktisur një person të tyre në periudhën paraislame, i cili, një natë, sulmoi një familje jemenase në Bat'ha. Një pjesëtar i familjes e hetoi dhe e gjuajti me shpatë duke e lënë të vdekur. Fisi hudhejl, gjatë sezonit të haxhit, erdhën, e morën jemenasin dhe e dërguan tek Omeri e i thanë: “Ky e ka vrarë shokun tonë.”
- Por këta e kanë braktisur atë, - tha jemenasi.
Omeri tha: “Le të betohen pesëdhjetë persona të fisit hudhejl se nuk e kanë braktisur atë.” Kështu, dyzet e nëntë prej tyre u betuan. Pastaj erdhi edhe një nga Shami, të cilit i kërkuan të betohet. Por ai e shpagoi betimin e tij me një mijë dërhemë, që të mos betohet. Kështu, në vend të tij futën dikë tjetër dhe e dorëzuan te vëllai i të vrarit, i cili e lidhi për dore të vet. Këta dy dhe të tjerët që u betuan morën rrugë derisa arritën te vendi i quajtur Nahle (afër Mekës). Aty filloi të bjerë shi, andaj ata u futën në një shpellë në kodër. Si pasojë, shpella u shemb mbi të gjithë të pesëdhjetët që u betuan (rrejshëm) dhe të gjithë vdiqën. Dy personat që ishin lidhur mes vete zunë të ikin, porse një gur u rrokullis pas tyre dhe ia theu këmbën vëllait të të vrarit, i cili jetoi një vit dhe vdiq.
Ebu Kilabe sërish vazhdoi: “Abdulmelik ibn Mervani mori hakun e një personi me betim kolektiv, pastaj u pendua për këtë vepër dhe urdhëroi që ata pesëdhjetë persona që ishin betuar të fshihen nga regjistri i shtetit dhe i dëboi në Sham.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 6899

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?