Sahihu i Buhariut — Hadithi 712
67. Nënkapitulli: Përcjellja e tekbireve të imamit te xhemati gjatë namazit
712. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Davudi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ u sëmur në fund të jetës së tij, Bilali erdhi për ta thirrur për namaz. Pejgamberi ﷺ i tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë njerëzve namazin.”
- Ebu Bekri është person i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson ty, nga të qarët, nuk arrin të lexojë në namaz, - i thashë unë.
- “I thoni Ebu Bekrit t'ua falë namazin!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ, ndërsa unë ia ktheva të njëjtat fjalë. Pastaj, në herën e tretë ose të katërt, tha:
- “Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. Urdhërojeni Ebu Bekrin t'ua falë namazin!”
Kështu, Ebu Bekri filloi t'ua falte namazin. Një ditë, Pejgamberi ﷺ doli (në xhami), duke e mbajtur për krahësh. Më kujtohet mirë se si këmbët i shkonin zvarrë. Kur Ebu Bekri e vërejti, filloi të tërhiqej mbrapa, por Pejgamberi ﷺ i bëri me shenjë që të vazhdojë, e ai u kthye, ndërsa Pejgamberi ﷺ u ul anash tij, kështu që Ebu Bekri ua përcillte njerëzve tekbiret (gjatë namazit).”
Transmetimin e Ameshit e përforcon Muhadiri.