Sahihu i Buhariut — Hadithi 714
69. Nënkapitulli: Nëse imami gabon në namaz (dhe nuk i kujtohet), a duhet ta pranojë fjalën e xhematit?
714. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Malik ibn Enesi, e ky nga Ejub ibn Ebu Temime Sehtijani, e ky nga Muhamed ibn Sirini se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë i Dërguari i Allahut ﷺ dha selam në rekatin e dytë, e në atë rast Dhuljedejni i tha:
- O i Dërguari i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?
- “A po e thotë të vërtetën Dhuljedejni?” - pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Po, - iu përgjigjën njerëzit.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit, i fali edhe dy rekate, dha selam, mori tekbirin dhe ra në sexhde sikurse për sexhdet e namazit, ose edhe më gjatë.