Sahihu i Buhariut — Hadithi 716
70. Nënkapitulli: Nëse imami qan në namaz
Abdullah ibn Shedadi ka thënë: "E dëgjoja dënesën e Omerit, edhe pse isha në safat e fundit, teksa lexonte ajetin: “Unë, dhembjen dhe pikëllimin tim ia shpreh vetëm Allahut...” (Jusuf, 86)"
716. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Gjatë kohës sa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në sëmundjen e vdekjes, tha:
- “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz.”
- Nëse Ebu Bekri të zëvendëson ty, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin nga të qarët. Andaj, thuaji Omerit le t'ua falë, - i thashë.
- “I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz!” - tha sërish Pejgamberi ﷺ, andaj iu drejtova Hafsës:
- Thuaji edhe ti që Ebu Bekri është i ndjeshëm. Nëse të zëvendëson, nuk arrin t'ua falë njerëzve namazin nga të qarët, andaj thuaji Omerit le t'ua falë.
Hafsa ia tha këto fjalë, por i Dërguari i Allahut ﷺ ia ktheu:
- “Ç'është kjo?! Jeni bërë si gratë në rrëfimin e Jusufit ﷺ. I thoni Ebu Bekrit t'u prijë njerëzve në namaz!” Hafsa iu drejtua Aishes:
- Kurrë s'ta pashë hajrin!”