Sahihu i Buhariut — Hadithi 7162

15. Nënkapitulli: Çfarë lejohet nga dëshmia përmes një shkrimi të vulosur dhe çfarë ndalohet, si dhe kur prijësi i shkruan nëpunësit të tij ose kur kadiu i shkruan kadiut.

Disa kanë thënë: "Lejohet që prijësi t’i shkruajë dikujt përderisa kjo nuk ka të bëjë me ndëshkimet e përcaktuara." Pastaj kanë thënë: "Nëse vrasja është e paqëllimshme, atëherë kjo është e lejuar, sepse ndëshkimi në këtë rast ka të bëjë me pasuri, e cila është përcaktuar pasi që është vërtetuar se ka ndodhur vrasja (pa qëllim), edhe pse, në parim, vrasja me qëllim dhe ajo pa qëllim janë të së njëjtës dispozitë. Omeri i ka shkruar nëpunësit të tij për zbatimin e ndëshkimeve të përcaktuara. Po ashtu, Omer ibn Abdulazizi ka dërguar shkresë që të zbatohet dispozita për thyerjen e dhëmbit. Ibrahimi ka thënë: "Shkresa e kadiut një kadiu tjetër është e lejuar nëse e njeh burimin e shkrimit dhe vulës. Shabiu e lejonte që kadiu ta zbatojë atë që ndodhej brenda një shkrese të vulosur. Një gjë e tillë është transmetuar edhe nga Ibn Omeri. Muavi ibn Abdulkerim Thekafiu ka thënë: "I kam parë Abdulmelik Ibn Jalain, kadiun e Basrës, Ijas ibn Muaviun, Hasanin, Thumame ibn Abdullah ibn Enesin, Bilal ibn Ebu Burden, Abdullah ibn Burejde Eslemiun, Amir ibn Ubejden dhe Abad ibn Mensurin se e lejonin zbatimin e shkresave të kadive pa praninë e dëshmitarëve. E, nëse ai për të cilin sillej shkresa pretendonte se ajo ishte false, i thuhej: "Shko kërko ndonjë rrugëdalje për këtë. Sakaq, të parët që kishin kërkuar prova për shkresën e kadiut ishin Ibn Ebu Lejla dhe Sevar ibn Abdullahu. Ebu Nuajmi na ka thënë: "Na ka treguar Ubejdullah ibn Muhrizi: "Kam sjellë një shkresë nga Musa ibn Enesi, kadiu i Basrës, të cilit ia kam treguar provat se filani, i cili ndodhet në Kufe, më ka borxh këtë dhe këtë, e pastaj ia kam dërguar atë Kasim ibn Abdurrahmanit, i cili e miratoi. Ndërkaq, Hasani dhe Ebu Kilabe urrenin që dikush të dëshmonte për një testament para se të kuptonte çfarë kishte brenda tij, ngaqë s’mund të ishte i sigurt se aty nuk kishte ndonjë padrejtësi. Ndërkaq, edhe Pejgamberi ﷺ u pati shkruar banorëve të Hajberit: “Ose do ta paguani gjakun e shokut tuaj, ose do të pajtoheni që t’ju luftojmë!” Zuhriu, kur flet për pranimin e dëshmisë së gruas (nga) mbrapa perdes, thotë: "Nëse e njeh, pranoja dëshminë, e, nëse nuk e njeh, mos ia prano dëshminë."

7162. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky e ka dëgjuar Kataden se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ vendosi t'u shkruajë romakëve, dikush i tha: “Ata nuk lexojnë letra të pavulosura.” Kështu, Pejgamberi ﷺ vendosi një unazë të argjendtë, shkëlqimin e së cilës sikur po e shoh tani, ku ishte e gdhendur “Muhamed, Resulullah (Muhamedi, i Dërguari i Allahut).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7162

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?