Sahihu i Buhariut — Hadithi 7170
21. Nënkapitulli: Kur ai që është dëshmitar ngarkohet me detyrën e gjykatësit, duhet të dëshmojë ndaj të akuzuarit te një gjykatës tjetër
Kur një person i kërkoi kadiut Shurejh të dëshmojë për të, ky i fundit i tha: "Paraqitu te gjykatësi i lartë, në mënyrë që unë të dëshmoj për ty. Ikrime ka thënë: "Omeri i tha Abdurrahman ibn Aufit: "Çfarë do të veproje sikur të shihje një njeri duke bërë zina ose duke vjedhur, nëse do të ishe ti prijës?" Ai ia ktheu: "Në atë rast, dëshmia jote do të llogaritej e njëjtë me dëshminë e cilitdo prej burrave muslimanë." Ai ia ktheu: "Të vërtetën ke thënë." Omeri ka thënë: "Sikur të mos kisha frikë se njerëzit do të thoshin se Omeri ka shtuar diçka në Librin e Allahut, do ta shkruaja me dorën time ajetin e gurëzimit. Maizi, në prani të Pejgamberit ﷺ, dëshmoi (pohoi) katër herë ndaj vetvetes se ka bërë zina, e në atë rast Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të gurëzohej. Askush nuk ka përmendur se Pejgamberi ﷺ ka kërkuar dëshmi prej ndonjërit nga të pranishmit për këtë." Hamadi ka thënë: "Nëse vetëm një herë dëshmon para prijësit (se ka bërë zina), gurëzohet." Hakemi shton: "(Dëshmon) katër herë."
7170. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Jahjai, e ky nga Omer ibn Kethiri, e ky nga Ebu Muhamedi, i çrobëruari i Katades se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen se i Dërguari i Allahut ﷺ, ditën e Betejës së Hunejnit, ka thënë: “Atij që ka vrarë ndonjë armik dhe ka dëshmi për këtë, i takon preja e të vrarit (mjetet e luftës).” U ngrita që të kërkoj dëshmi për atë që unë e kisha vrarë, por nuk pashë ndokënd që mund të dëshmonte për mua. Posa u ula, më ra ndërmend që këtë t'ia përmendja të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast një burrë nga të pranishmit tha: “Armët e të vrarit që ky njeri po e përmend janë tek unë, por kompensoja atij me diçka e këto të më mbeten mua.” Ebu Bekër Sidiku tha: “Assesi! Nuk i jepet një të dobëtit të kurejshëve duke braktisur një prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ.” Ebu Katadja vazhdon: “I Dërguari i Allahut ﷺ pastaj urdhëroi që ato të më jepeshin mua, pasuri me të cilën bleva një kopsht. Kjo ishte pasuria e parë që e fitova si musliman.”
Banorët e Hixhazit kanë thënë: “Gjykatësi nuk bën të gjykojë me njohuritë personale që ka rreth çështjes, qoftë nëse ato njohuri i ka fituar gjatë periudhës sa ishte në detyrë, qoftë para kësaj. Sipas një pjese të tyre, edhe nëse i akuzuari ia pohon tjetrit të vërtetën gjatë seancës gjyqësore, gjykatësit nuk i lejohet të gjykojë kundër tij para se t'i thërrasë dy dëshmitarë për të qenë të pranishëm gjatë pohimit të tij.”
Disa banorë të Irakut kanë thënë: “Gjykatësi gjykon vetëm me gjërat që ka parë dhe dëgjuar gjatë seancës, kurse me informatat e marra jashtë seancës nuk gjykon, përveçse me dëshminë e dy dëshmitarëve.”
Të tjerë kanë thënë: “I lejohet të gjykojë edhe me informatat e marra jashtë seancës, sepse ai është i besueshëm. Kjo, se qëllimi i dëshmisë është të vërtetojë një pohim, e në këtë rast njohuritë që gjykatësi posedon janë më të forta se dëshmia e kujtdo tjetër.”
Disa kanë thënë: “I lejohet të gjykojë me njohuritë e tij nëse fjala është për pasuri (mallra), por jo në gjëra të tjera.”
Kasimi ka thënë: “Nuk bën që gjykatësi të marrë vendim gjyqësor duke u bazuar në njohuritë e tij personale rreth çështjes, pa i marrë në konsideratë edhe të dhënat e tjera, përkundër faktit se njohuritë që ai posedon ia tejkalojnë dëshmisë së të tjerëve, sepse një gjë e tillë krijon hapësirë që muslimanët të mendojnë keq për të, si dhe mund t'i fusë ata në paragjykime, ndërsa Pejgamberi ﷺ i ka urryer paragjykimet, saqë (në rastin kur pati dalë natën me gruan e tij) pati thënë: “Kjo është Safija.”