Sahihu i Buhariut — Hadithi 7171

21. Nënkapitulli: Kur ai që është dëshmitar ngarkohet me detyrën e gjykatësit, duhet të dëshmojë ndaj të akuzuarit te një gjykatës tjetër

Kur një person i kërkoi kadiut Shurejh të dëshmojë për të, ky i fundit i tha: "Paraqitu te gjykatësi i lartë, në mënyrë që unë të dëshmoj për ty. Ikrime ka thënë: "Omeri i tha Abdurrahman ibn Aufit: "Çfarë do të veproje sikur të shihje një njeri duke bërë zina ose duke vjedhur, nëse do të ishe ti prijës?" Ai ia ktheu: "Në atë rast, dëshmia jote do të llogaritej e njëjtë me dëshminë e cilitdo prej burrave muslimanë." Ai ia ktheu: "Të vërtetën ke thënë." Omeri ka thënë: "Sikur të mos kisha frikë se njerëzit do të thoshin se Omeri ka shtuar diçka në Librin e Allahut, do ta shkruaja me dorën time ajetin e gurëzimit. Maizi, në prani të Pejgamberit ﷺ, dëshmoi (pohoi) katër herë ndaj vetvetes se ka bërë zina, e në atë rast Pejgamberi ﷺ urdhëroi që të gurëzohej. Askush nuk ka përmendur se Pejgamberi ﷺ ka kërkuar dëshmi prej ndonjërit nga të pranishmit për këtë." Hamadi ka thënë: "Nëse vetëm një herë dëshmon para prijësit (se ka bërë zina), gurëzohet." Hakemi shton: "(Dëshmon) katër herë."

7171. Nga: Ali ibn Husejni

Abdulaziz ibn Abdullah Uvejsi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Ibn Shihabi se Ali ibn Husejni tregon: “Njëherë, Safije bint Hujeji (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vajti te Pejgamberi ﷺ dhe, kur u kthye, Pejgamberi ﷺ shkoi me të (për ta përcjellë në shtëpi). Aty pranë kaluan dy burra ensarë, të cilët Pejgamberi ﷺ i thirri e u tha:

- “Kjo është Safija.”
- Subhanallah (i lartësuar qoftë Allahu)! - thanë ata.
- “Shejtani qarkullon te njeriu siç qarkullon gjaku”, - ua ktheu Pejgamberi ﷺ.

Këtë e transmetojnë edhe Shuajbi, Ibn Musafiri, Ibn Ebu Atiku dhe Is'hak ibn Jahjai, nga Zuhriu, e ky nga Ali ibn Husejni, e ky nga Safija, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 7171

Fjalë të panjohura?