Sahihu i Buhariut — Hadithi 7193

39. Nënkapitulli: A i lejohet prijësit të dërgojë një person të vetëm për t’i vëzhguar punët?

7193. Nga: Ebu Hurejra - Zejd ibn Halid Xhuheniu

7193, 7194 - Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhibi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ebu Hurejra dhe Zejd ibn Halid Xhuheniu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) rrëfejnë: “Njëherë, një beduin erdhi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut!” Hasmi i tij u ngrit dhe tha: “Mirë tha ai, gjyko mes nesh sipas Librit të Allahut!” Pastaj beduini tha: “Djali im ka qenë argat te ky dhe ka bërë zina me gruan e tij. Më thanë se biri im duhet të dënohet me gurëzim. Andaj, e shpagova djalin tim me njëqind dele dhe një robëreshë. Pastaj i pyeta dijetarët e më thanë: “Biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe të dëbohet nga vendi për një vit.”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Do të gjykoj mes jush sipas Librit të Allahut. Sa i përket robëreshës dhe deleve, duhet të të kthehen, ndërsa biri yt duhet të dënohet me njëqind goditje kamxhiku dhe dëbim nga vendi për një vit. Ndërkaq, ti, o Unejs, - iu drejtua një burri, - shko te gruaja e këtij dhe gurëzoje.”
Unejsi shkoi tek ajo dhe e gurëzoi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 7193

Hadithe të ngjashme: Shiko (24)

Fjalë të panjohura?