Sahihu i Buhariut — Hadithi 74

16. Nënkapitulli: Transmetimet e përmendura rreth rrugëtimit të Musait ﷺ në det për te Hidri

Fjala e Allahut të Madhërishëm: “A pranon të vij me ty, që të më mësosh?” (Kehf, 66)

74. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu

Muhamed ibn Gurejr Zuhriu na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi se këtij i ka treguar babai i vet, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs ibn Hisn Fizari debatuan për personin që Musai ﷺ e kishte takuar. Ibn Abasi thoshte se ai ka qenë Hidri. Në bisedë e sipër, pranë tyre kaloi Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e pa, andaj e thirri e i tha: “Me këtë shok timin diskutuam për personin me të cilin Musai ﷺ kërkonte të takohej. A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ të ketë folur për të?”

Ai iu përgjigj: “Po, e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, vajti një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?”

- Jo, - tha Musai ﷺ.

Atëherë, Allahu i shpalli: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur).”

Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë.

- Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin), - iu tha atij.

Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det.

Kur djaloshi, që e shoqëronte, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj. Musai ia ktheu: “Këtë po e prisnim.” Andaj u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin, e pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 74

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?