Sahihu i Buhariut — Hadithi 78

19. Nënkapitulli: Rrugëtimi në kërkim të diturisë

Xhabir ibn Abdullahu ka rrugëtuar një muaj të tërë drejt Abdullah ibn Unejsit, për të dëgjuar prej tij një hadith të vetëm.

78. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu

Ebu Kasim Halid ibn Haliu na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Harbi, e këtij i ka thënë Evzaiu, e këtij i ka rrëfyer Zuhriu se Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs ibn Hisn Fezari debatuan për personin që Musai ﷺ e kishte takuar. Në bisedë e sipër, pranë tyre kaloi Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e pa, andaj e thirri e i tha: “Me këtë shok timin diskutuam për personin me të cilin Musai ﷺ kërkonte të takohej. A mos e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë folur për të?”

Ai iu përgjigj: “Po, e kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, vajti një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?”

- Jo, - tha Musai ﷺ.

Atëherë, Allahu i Lartësuar i shpalli: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur).”

Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë. Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin), - iu tha atij. Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det.

Kur djaloshi që e shoqëronte i tha Musait: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Musai ia ktheu: “Këtë po e prisnim.” Kështu, u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin, e pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 78

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?