Sahihu i Buhariut — Hadithi 813
135. Nënkapitulli: Vendosja e hundës në tokë gjatë sexhdes, edhe nëse toka është me baltë
813. Nga: Ebu Seid Hudriu
Musai na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Jahjai se Ebu Seleme tregon: “Shkova tek Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i thashë: “A dalim së bashku në kopsht te hurmat dhe bisedojmë?” Kur dolëm, i thashë: “Më trego ç'ke dëgjuar prej Pejgamberit ﷺ për Natën e Kadrit.” Ai tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ pati hyrë në itikaf gjatë dhjetëshes së parë të Ramazanit, e ne i qemë bashkëngjitur në itikaf. Erdhi Xhibrili dhe i tha: “Atë që po e kërkon, e ke përpara.” Andaj, Pejgamberi ﷺ qëndroi në itikaf edhe dhjetëshen e mesme, e ne vazhduam të qëndrojmë me të. Sërish i erdh Xhibrili dhe i tha: “Atë që po e kërkon, e ke përpara.” Pejgamberi ﷺ u ngrit në mëngjesin e ditës së njëzetë të Ramazanit dhe ligjëroi: “Ata që kanë qëndruar në itikaf me Pejgamberin ﷺ, le të rikthehen, se më është shfaqur Nata e Kadrit, mirëpo më pas më është harruar. Megjithatë, ajo është diku në netët tek, gjatë dhjetëshit të fundit. E kam parë veten (në ëndërr) duke bërë sexhde mbi baltë dhe shi.”
Në atë kohë çatia e xhamisë ishte e ndërtuar me degë të hurmave. Atë natë, qielli ishte i kthjellët, por papritmas u tubuan ca re dhe filloi të bjerë shi. Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ na e falte namazin, ia pashë gjurmët e baltës dhe shiut në ballë dhe hundë, pikërisht ashtu siç pati përmendur në ëndrrën e vet.”