Sahihu i Buhariut — Hadithi 835
150. Nënkapitulli: Duatë që mund të thuhen pas teshehudit e që nuk janë të detyrueshme
835. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur faleshim pas Pejgamberit ﷺ, thoshim: “Eselamu alallahi min ibadihi, eselamu ala fulanin ve fulan (Selami qoftë për Allahun prej robërve të Tij. Paqja qoftë mbi filanin e filanin)!” Pejgamberi ﷺ na tha: “Mos thoni: “Eselamu ala Allah (Selami qoftë për Allahun)”, sepse vetë Allahu quhet Es-Selam. Por thoni: “Etehijatu lilahi ve salavatu ve tajibatu. Eselamu alejke ejuhe nebiju ve rahmetullahi ve berekatuhu. Eselamu alejna ve ala ibadilahi salihin. (Përshëndetjet, selamet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë).” Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë të Allahut, në qiell ose mes qiellit dhe Tokës. (Pastaj le të vazhdojë) “Eshhedu en la ilahe il-lallah ve eshhedu ene Muhameden abduhu ve resuluhu.” Pastaj le të lutet me çfarëdo duaje.”