Sahihu i Buhariut — Hadithi 908
18. Nënkapitulli: Ecja për në namazin e xhumasë
Allahu ﷻ ka thënë: “... nxitoni për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin)...” (Xhumua, 9) Disa (gjatë komentimit të këtij ajeti) kanë thënë: Fjala “nxitoni” e ka kuptimin: punoni dhe shkoni, duke u argumentuar me ajetin: “... përpiqet për të...” (Isra, 19) Ibn Abasi ka thënë: "Andaj, shitblerja konsiderohet haram. "Atai ka thënë: "Të gjitha punët e tjera konsiderohen haram (gjatë kohës së xhumasë). Zuhriu ka thënë: "Kur myezini ta thërrasë ezanin ditën e premte, edhe udhëtari duhet të marrë pjesë në faljen e namazit (të xhumasë)."
908. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Seidi dhe Ebu Seleme, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos u ngutni, por ecni duke e ruajtur qetësinë. Atë që arrini prej namazit, faleni, kurse atë që ju ikën, plotësojeni.”