11. Namazi i xhumasë
1. Nënkapitulli: Obligueshmëria e namazit të xhumasë
Allahu ﷻ ka thënë: "... kur të thirret për namazin e ditës së premte, nxitoni për ta përmendur Allahun (në namazin e xhumasë) dhe pezulloni shitblerjen; kjo është më mirë për ju, nëse e dini!" (Xhumua, 9)
876. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuz Arexhi, i çrobëruari i Rebia ibn Harithit, se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne jemi të fundit (si umet), por të parët në Ditën e Gjykimit, ndonëse atyre u është dhënë Libri para nesh. Pastaj, dita që Allahu ua ka bërë obligim atyre (madhërimin e saj), ata polemizuan rreth saj. Ndërsa neve Allahu na ka udhëzuar në të (madhërimin e saj), kurse të tjerët vijnë pas nesh: hebrenjtë e kanë të nesërmen (të shtunën), kurse të krishterët të pasnesërmen (të dielën).”
2. Nënkapitulli: Vlera e pastrimit ditën e premte dhe a u obligohet fëmijëve e grave pjesëmarrja në namazin e xhumasë?
877. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të vijë për namazin e xhumasë, le të pastrohet.”
878. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka rrëfyer Xhuvejriu, e ky nga Maliku, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salim ibn Abdullah ibn Omeri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Omer ibn Hatabi ishte në minber duke ligjëruar ditën e premte, në xhami hyri një shok i Pejgamberit ﷺ, që në fakt ishte njëri prej muhaxhirëve të parë. Omeri e thirri:
- Ç'është kjo vonesë?
- Isha i zënë me një punë dhe nuk arrita të kthehem në shtëpi derisa e dëgjova ezanin, madje nuk arrita të bëj diçka tjetër përveçse të marr abdes, - tha ai.
- A edhe abdesin? - iu drejtua Omeri e vijoi: - Ti e di shumë mirë se i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëronte të pastroheshim.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 878
Fjalë të panjohura?
879. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pastrimi ditën e premte është obligim për çdo të rritur.”
3. Nënkapitulli: Parfumimi për namazin e xhumasë
880. Nga: Ebu Seid Hudriu
Aliu na ka thënë: Na ka rrëfyer Haremij ibn Umare, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Bekër ibn Munkediri, e këtij i ka treguar Amër ibn Sulejm Ensariu, e ky dëshmon se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dëshmon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pastrimi ditën e premte është obligim për çdo të rritur, si dhe duhet t'i pastrojë dhëmbët e të parfumohet nëse mund të gjejë parfum.”
Amri ka thënë: “Sa i përket guslit, dëshmoj se është obligim. Ndërsa, pastrimi i dhëmbëve dhe parfumimi, Allahu e di më së miri, nuk e di a është obligim apo jo, por kështu përmendet në hadith.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ai (Ebu Bekri) është vëllai i Muhamed ibn Munkedirit, por nuk e ka përmendur me emër këtë Ebu Bekrin. Nga ai e kanë transmetuar Bukejr ibn Eshexhi, Seid ibn Ebu Hilali, dhe disa të tjerë. Muhamed ibn Munkediri gjithashtu quhej edhe Ebu Bekër, edhe Ebu Abdullah.”
4. Nënkapitulli: Vlera e namazit të xhumasë
881. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahmanit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që pastrohet ditën e premte, ashtu siç pastrohet prej xhunubllëkut dhe shkon në xhami, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një deve. Ai që shkon në kohën e dytë, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një lopë. Ai që shkon në kohën e tretë, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një dash me brirë. Ai që shkon në kohën e katërt, konsiderohet sikurse të ketë bërë kurban një pulë. Ai që shkon në kohën e pestë, konsiderohet sikurse të ketë dhënë sadaka një vezë. E, kur imami të ngjitet në minber, melekët ndalen për ta dëgjuar dhikrin (hutben).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 881
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitull
882. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Shejbani, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Omeri po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri (në xhami), dhe Omeri i tha:
- Ç'është puna juaj që vonoheni për namaz?
- Nuk pata kohë. Me të dëgjuar ezanin, mora abdes (dhe erdha), - tha burri në fjalë.
- A nuk e keni dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Kur dikush shkon në xhuma, le të pastrohet”, - tha Omeri.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 882
Fjalë të panjohura?
6. Nënkapitulli: Lyerja me vajra erëmirë për namazin e xhumasë
883. Nga: Selman Farisiu
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburiu, e këtij i ka rrëfyer babai i tij, e ky nga Ibn Vedia se Selman Farisiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atij që merr gusël ditën e premte, i heq papastërtitë e trupit sa ka mundësi dhe parfumohet me parfum të vetin ose të familjes së vet, pastaj shkon në xhuma pa hyrë ndërmjet dy personash (duke i ndarë mes vete), falet aq sa mundet dhe e dëgjon në qetësi ligjërimin e imamit, i falen mëkatet prej kësaj xhumaje deri në xhumanë tjetër.”
884. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Tavusi tregon: “E kam pyetur Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
- Disa thonë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastrohuni ditën e premte, lani kokat tuaja, edhe nëse nuk jeni xhunubë, si dhe parfumohuni!”
- Sa i përket guslit, është e vërtetë, ndërkaq, sa i përket parfumimit, nuk e di, - tha Ibn Abasi.”
885. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ibrahim ibn Mejsera se Tavusi tregon: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përmendi fjalën e Pejgamberit ﷺ rreth guslit ditën e premte, andaj e pyeta:
- Çfarë lloj parfumi të përdor nëse gjendem në shtëpi?
- Nuk e di, - iu përgjigj Ibn Abasi.”
7. Nënkapitulli: Veshja e rrobave më të bukura që posedon për namazin e xhumasë
886. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi pa një palë rroba të reja prej mëndafshi para derës së xhamisë, andaj i tha Pejgamberit ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut, sikur t'i blije këto e t'i vishje ditën e premte dhe nëpër takime me delegacionet që të vijnë?
- “Këto i veshin vetëm ata që nuk kanë hise në botën tjetër”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Pas një kohe, dikush i kishte sjellë të Dërguarit të Allahut ﷺ disa palë rrobash prej mëndafshi. Një palë prej tyre ia dërgoi Omer ibn Hatabit. Omeri shkoi e i tha:
- O i Dërguari i Allahut, m'i dërgove t'i vesh, ndërkohë ti vetë pate thënë fjalë jo të mira për rrobat që i shet Utaridi.
- “Nuk t'i kam dërguar për t'i veshur ti”, - i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Kështu, Omeri ia dërgoi ato vëllait të vet idhujtar, të cilin e kishte në Mekë.
8. Nënkapitulli: Pastrimi i dhëmbëve ditën e premte
Ebu Seidi tregon se Pejgamberi ﷺ i pastronte dhëmbët
887. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, - ose ka thënë: sikur të mos më dukej e rëndë për njerëzit, - do t'i urdhëroja ta përdornin misvakun për çdo namaz.”
888. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Shuajb ibn Habhabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ju kam porositur goxha shumë për pastrimin e dhëmbëve.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 888
Fjalë të panjohura?
889. Nga: Hudhejfe ibn Jemani
Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Mensuri dhe Husajni, e këta nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ ngrihej për t'u falur natën, e pastronte gojën.
9. Nënkapitulli: Pastrimi i dhëmbëve me misvak të tjetërkujt
890. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Abdurrahman ibn Ebu Bekri hyri në dhomë duke mbajtur një misvak në gojë. I Dërguari i Allahut ﷺ e shikoi, andaj unë i thashë: “Ma jep këtë misvak, o Abdurrahman!” Ma dha misvakun, e unë e preva, pastaj e shtypa me dhëmbë (për ta zbutur) e ia dhashë të Dërguarit të Allahut ﷺ për ta përdorur, ndërkohë ai ishte i mbështetur në gjoksin tim.”
10. Nënkapitulli: Çfarë këndohet në namazin e sabahut ditën e premte?
891. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Sad ibn Ibrahimi, e ky nga Abdurrahman ibn Hurmuz Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e premte Pejgamberi ﷺ në namazin e sabahut e lexonte suren Sexhde dhe suren Insan.”
11. Nënkapitulli: Namazi i xhumasë nëpër fshatra dhe qytete
892. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Muthena më ka thënë: Na ka treguar Ebu Amir Akadiu, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Tahmani, e ky nga Ebu Xhemra Dubeiu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka treguar se xhumaja e parë që është falur pas asaj në Xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte ajo në Xhaminë e Abdulkajsit, në Xhuvatha të Bahrejnit.
893. Nga: Abdullah ibn Omeri
Bishr ibn Muhamed Merveziu na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu, e ky nga Ibn Omeri se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari...” Lejthiu shton: “Junusi ka thënë: “Zurejk ibn Hukejmi i pati shkruar ibn Shihabit, kur edhe unë isha me të në luginën Kura: “A mendon se duhet t'i tubojë njerëzit?” Ndërkohë Zurejku ishte i angazhuar me një tokë të cilën e punonte, e me të ishin të pranishëm edhe një grup etiopasish dhe disa të tjerë. Zurejku ishte ne Ejla. Aty Ibn Shihabi i shkroi, ndërkaq unë po e dëgjoja, duke e urdhëruar që t'i tubonte njerëzit dhe duke i treguar se këtij i kishte treguar Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e tij.
Burri është kujdestar për familjen e vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë e burrit të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.
Shërbëtori është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të japë përgjegjësi për të.” - Mendoj se ka thënë edhe: “Burri është kujdestar për pasurinë e babait të vet, andaj do të japë përgjegjësi për të. Pra, secili është kujdestar, andaj secili do të pyetet për kopenë e vet.”
12. Nënkapitulli: A janë të detyruar të pastrohen ditën e premte ata që nuk marrin pjesë në namazin e xhumasë, përkatësisht: gratë, fëmijët dhe të tjerët?
Ibn Omeri ka thënë: "Gusli është për atë që e ka obligim namazin e xhumasë."
894. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të vijë për namazin e xhumasë, le të pastrohet.”
895. Nga: Ebu Seid Hudriu
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Safvan ibn Sulejmi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pastrimi ditën e premte është obligim për çdo të rritur.”
896. Nga: Ebu Hurejra
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ne jemi të fundit (si umet), por të parët në Ditën e Gjykimit. Atyre u është dhënë Libri para nesh, e neve pas tyre. Ata patën polemizuar rreth kësaj dite (ditës së premte), kurse ne Allahu na ka udhëzuar në të (madhërimin e saj). Të nesërmen (të shtunën) e kanë hebrenjtë, kurse të pasnesërmen (të dielën) të krishterët.” Pastaj heshti.
897. Nga: Ebu Hurejra
Pastaj Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ tha: “Çdo musliman e ka obligim që të pastrohet (të paktën) një herë në çdo të shtatën ditë, në të cilën e pastron kokën dhe trupin.”
898. Nga: Ebu Hurejra
Eban ibn Salihu transmeton nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo musliman e ka obligim ndaj Allahut që të pastrohet një herë në javë.”
13. Nënkapitull
899. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Shebabi, e këtij i ka treguar Verkai, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Muxhahidi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lejoni gratë tuaja që edhe natën të shkojnë në xhami.”
900. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jusuf ibn Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullah ibn Omeri, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëra prej grave të Omerit shkonte në xhami për ta falur me xhemat namazin e sabahut dhe atë të jacisë. Dikush e pyeti:
- Pse po del, kur e di që Omerit nuk i pëlqen kjo dhe xhelozon?
- E çka po e pengon të më ndalojë? - tha ajo.
- Po e pengon fjala e të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Mos i ndalni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut”, - ia ktheu ai.”
14. Nënkapitulli: Lehtësimi ndaj atij që nuk prezanton në namazin e xhumasë për shkak të shiut
901. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e këtij i ka rrëfyer Abdulhamidi, shoku i Zijadit, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Harithi, djali i xhaxhait të Muhamed ibn Sirinit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e porositi muezinin e vet që, në ditët me shi, pas fjalëve: “Eshhedu ene Muhameden Resulullah”, të mos thotë: “Haje alasalah”, por të thotë: “Faluni në shtëpitë tuaja.” Siç duket, njerëzve nuk u pëlqeu kjo, andaj Ibn Abasi u tha: “Këtë gjë e ka vepruar ai që ishte më i mirë se unë (Pejgamberi ﷺ). Xhumaja është farz, por nuk doja t'ju detyroja të dilni nëpër llucë e baltë.”
15. Nënkapitulli: Kujt i obligohet namazi i xhumasë dhe prej çfarë largësie shkohet në xhuma?
Allahu ﷻ ka thënë: “... kur të thirret për namazin e ditës së premte...” (Xhumua, 9) Atai ka thënë: Nëse ndodhesh në ndonjë fshat të madh dhe thirret ezani për namazin e xhumasë, e ke obligim pjesëmarrjen në të, e dëgjove apo s'e dëgjove ezanin. Enesi, kur ishte në kështjellën e tij, ndonjëherë e falte xhumanë aty (në kështjellë), ndonjëherë jo (shkonte në xhaminë e Basrës). Kështjella e tij ndodhej në periferi të qytetit, në një largësi prej dy fersehësh
902. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Harithi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Xhaferi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Xhafer ibn Zubejri, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Njerëzit zëvendësonin njëri-tjetrin për xhuma, vinin prej shtëpive të tyre nga periferitë (e Medinës). Gjatë rrugës pluhuroseshin dhe djersiteshin. Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në shtëpinë time, erdhi njëri prej tyre, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Sikur të laheshit për këtë ditë!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 902
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Koha për faljen e namazit të xhumasë është pasi ta kalojë dielli kupën e qiellit
Poashtu është transmetuar nga Omeri, Aliu, Numan ibn Beshiri dhe Amër ibn Hurejthi (Allahu qoftë i kënaqur me ta).
903. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu se Jahja ibn Seidi tregon se e pyeti Amrën për guslin ditën e premte. Ajo iu përgjigj: “Na ka treguar Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se njerëzit i kryenin vetë punët e tyre, andaj në namazin e xhumasë vinin në gjendjen që ishin duke punuar. Prandaj, Pejgamberi ﷺ u tha: “Sikur të laheshit!”
904. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Surejxh ibn Numani na ka thënë: Na ka treguar Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Othman ibn Abdurrahman ibn Othman Tejmiu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ e falte namazin e xhumasë pasi dielli e kalonte kupën e qiellit.
905. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkonim herët në namazin e xhumasë, andaj dremitnim pas namazit.”
17. Nënkapitulli: Çfarë veprohet ditën e premte nëse është vapë e madhe?
906. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademiu na ka thënë: Më ka treguar Haremij ibn Umare, e këtij i ka treguar Ebu Halde, - e ky është Halid ibn Dinari, - se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur moti ishte i ftohtë, Pejgamberi ﷺ e falte namazin e xhumasë sapo hynte koha. Ndërkaq, kur bënte vapë e madhe, e vononte namazin derisa të freskohej paksa.
Junus ibn Bukejri ka thënë: “Na ka rrëfyer Ebu Halde se nuk përmendet xhumaja por namazi në përgjithësi.
Bishr ibn Thabiti ka thënë: “Na ka treguar Ebu Halde se një prijës na e fali xhumanë, pastaj i tha Enesit: “Si e falte Pejgamberi ﷺ drekën?”
Referenca: Sahihu i Buhariut 906
Fjalë të panjohura?
18. Nënkapitulli: Ecja për në namazin e xhumasë
Allahu ﷻ ka thënë: “... nxitoni për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin)...” (Xhumua, 9) Disa (gjatë komentimit të këtij ajeti) kanë thënë: Fjala “nxitoni” e ka kuptimin: punoni dhe shkoni, duke u argumentuar me ajetin: “... përpiqet për të...” (Isra, 19) Ibn Abasi ka thënë: "Andaj, shitblerja konsiderohet haram. "Atai ka thënë: "Të gjitha punët e tjera konsiderohen haram (gjatë kohës së xhumasë). Zuhriu ka thënë: "Kur myezini ta thërrasë ezanin ditën e premte, edhe udhëtari duhet të marrë pjesë në faljen e namazit (të xhumasë)."
907. Nga: Abdurrahman ibn Xhebri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Velid ibn Muslimi, e këtij i ka treguar Jezid ibn Ebu Merjemi se Abaje ibn Rifai tregon: “Ebu Absi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më takoi duke shkuar për namazin e xhumasë dhe më tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Atë, të cilit këmbët i pluhurosen në rrugë të Allahut, Allahu ia bën haram Zjarrit.”
908. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Seidi dhe Ebu Seleme, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ. [t]: Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos u ngutni, por ecni duke e ruajtur qetësinë. Atë që arrini prej namazit, faleni, kurse atë që ju ikën, plotësojeni.”
909. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Amër ibn Aliu na ka thënë: Më ka treguar Ebu Kutejbe, e këtij i ka treguar Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja, e ky nga babai i tij se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Mos u ngrini derisa të më shihni mua (se jam ngritur) dhe ruajeni qetësinë.”
19. Nënkapitulli: Ditën e premte nuk pëlqehet t’i ndajë dy persona nga vendi ku janë ulur
910. Nga: Selman Farisiu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Seid Makburiu, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Vedia se Selman Farisiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që merr gusël ditën e premte, i heq papastërtitë e trupit sa ka mundësi dhe lyhet me vaj aromatik ose parfumohet, pastaj shkon në xhuma pa hyrë ndërmjet dy personash (duke i ndarë mes vete), falet aq sa mundet dhe e dëgjon në qetësi ligjërimin e imamit, i falen mëkatet prej kësaj xhumaje deri në xhumanë tjetër.”
20. Nënkapitulli: Ditën e premte nuk e ngre tjetrin nga vendi për t’u ulur vetë në vendin e tij
911. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Mahled ibn Jezidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e ky e ka dëgjuar Nafiun se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar që një person ta çojë tjetrin nga vendi i tij për t'u ulur vetë në të.
Ibn Xhurejxhi e ka pyetur Nafiun:
- Vetëm për xhuma?
- Për xhuma dhe jashtë saj, - iu përgjigj Nafiu.
21. Nënkapitulli: Ezani ditën e premte
912. Nga: Saib ibn Jezidi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, Ebu Bekrit dhe Omerit, ditën e premte, ezani thirrej kur imami ulej në minber. Ndërkaq, në kohën e Othmanit, kur u shtuan njerëzit, shtoi edhe një ezan, që thirrej në Zevra.”
Ebu Abdullahu ka thënë: “Zevra është vend në Tregun e Medinës.”
22. Nënkapitulli: Të mjaftuarit me një myezin ditën e premte
913. Nga: Seid ibn Jezid Ezdiu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme Maxhishuni, e ky nga Zuhriu se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ai që e ka shtuar ezanin e dytë ditën e premte ishte Othman ibn Afani. Këtë e kishte bërë për shkak të shtimit të banorëve të Medinës. Pejgamberi ﷺ kishte vetëm një muezin dhe ezani ditën e premte thirrej kur imami ulej në minber.
23. Nënkapitulli: Imami në minber përsërit fjalët e ezanit që dëgjon
914. Nga: Muavi ibn Ebu Sufjani
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Othman ibn Sehël ibn Hunejfi se Ebu Umame ibn Sehël ibn Hunejfi tregon: “E kam dëgjuar Muavi ibn Ebu Sufjanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke qenë ulur në minber, gjatë ezanit, kur muezini tha: “Allahu ekber, Allahu ekber”, Muaviu tha: “Allahu ekber, Allahu ekber.” Kur ai tha: “Eshhedu en la ilahe il-lallah”, Muaviu tha: “Edhe unë.” Kur ai tha: “Eshhedu ene Muhameden Resulullah”, Muaviu tha: “Edhe unë.” Pasi përfundoi ezani, tha: “O njerëz! Nga po i njëjti vend, gjatë ezanit, kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke i thënë të njëjtat fjalë që i dëgjuat prej meje.”
24. Nënkapitulli: Ulja në minber gjatë ezanit
915. Nga: Seid ibn Jezid Ezdiu
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, Othmani ishte ai që kishte urdhëruar thirrjen e ezanit të dytë ditën e premte. Kjo, për shkak të besimtarëve të shumtë që vinin në xhami. Ndërkaq, më herët (para Othmanit), ezani ditën e premte thirrej atëherë kur imami ulej (në minber).
25. Nënkapitulli: Thirrja e ezanit për hutben e xhumasë
916. Nga: Seid ibn Jezid Ezdiu
Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, Ebu Bekrit dhe Omerit, ditën e premte, ezani thirrej kur imami ulej në minber. Ndërkaq, në kohën e Othmanit, kur njerëzit u shtuan, ai urdhëroi të thirrej edhe një ezan, në Zevra. Dhe kështu veprohet që atëherë.”
26. Nënkapitulli: Hutbja mbahet sipër minberit
Enesi tregon: "Pejgamberi ﷺ ka ligjëruar sipër minberit."
917. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahman ibn Muhamed ibn Abdullah ibn Abdulkarij Kureshi Iskenderani se Ebu Hazim ibn Dinari tregon se disa burra erdhën te Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe filluan të debatonin rreth minberit (të Pejgamberit ﷺ) se prej çfarë materiali ishte i punuar, andaj e pyetën atë për këtë çështje. Ai u tha: “Betohem në Allahun se unë e di mirë se prej çfarë materiali ka qenë i punuar. E kam parë kur është vendosur këtu për herë të parë dhe kur është ulur në të i Dërguari i Allahut ﷺ për herë të parë.
Ai porositi një grua ensare, - së cilës Sehli ia përmendi emrin, por Ebu Hazimit nuk i kujtohej: - “Urdhëroje shërbëtorin tënd zdrukthëtar që të më ndërtojë një minber, që të hipi në të gjatë kohës sa u ligjëroj njerëzve.”
Ajo e urdhëroi shërbëtorin e vet, i cili ia ndërtoi (minberin) prej drurëve të Gabës, pastaj e solli. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të vendosej këtu. Më vonë, e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke u falur në të: mori tekbirin duke qenë mbi të dhe ra në ruku, pastaj zbriti nga mbrapa dhe ra në sexhde në fund të minberit dhe u kthye sërish (hipi mbi të). Pasi e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “O njerëz! Veprova kështu që të më pasoni dhe ta mësoni namazin tim.”
918. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Jahja ibn Seidi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Enesi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Në fillim, Pejgamberi ﷺ shfrytëzonte një trung hurme për të hipur sipër (gjatë ligjërimit). Kur iu ndërtua minberi, e dëgjuam trungun e hurmës duke rënkuar sikurse deveja, derisa Pejgamberi ﷺ zbriti dhe e vendosi dorën mbi të (e përkëdheli për ta qetësuar).”
Sulejmani transmeton nga Jahja, e këtij i ka rrëfyer Hafs ibn Ubejdullah ibn Enesi se e ka dëgjuar Xhabirin.
919. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Salimi, se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ, gjatë kohës sa ishte në minber, duke thënë: “Ai që vjen për namazin e xhumasë, le të pastrohet.”
27. Nënkapitulli: Hutbja mbahet duke qëndruar në këmbë
Enesi tregon se Pejgamberi ﷺ mbante hutben në këmbë.
920. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ubejdullah ibn Omer Kavariri na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Harithi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e mbante hutben në këmbë, pastaj ulej, pastaj ngrihej sërish, siç veproni ju tani.”
28. Nënkapitulli: Kthimi i imamit në drejtim të xhematit dhe i xhematit në drejtim të imamit gjatë hutbes
Ibn Omeri dhe Enesi janë kthyer në drejtim të imamit (gjatë hutbes).
921. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Hilal ibn Ebu Mejmune, e këtij i ka treguar Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, Pejgamberi ﷺ u ul në minber, kurse ne u ulëm përreth tij.”
29. Nënkapitulli: Thënia: ‘Ema badu (E, pas kësaj)’ gjatë hutbes, pasi të kryhet lavdërimi ndaj Allahut
Këtë e transmeton Ikrime nga Ibn Abasi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
922. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Mahmudi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekër Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkova tek Aishja, ndërsa njerëzit ishin duke u falur.” E pyeta: “Çfarë kanë njerëzit?” Ajo bëri me shenjë nga qielli.” E pyeta: “Diçka e jashtëzakonshme?” Ajo pohoi me kokë (po faleshin sepse ishte eklipsuar Dielli).”
I Dërguari i Allahut ﷺ e zgjati namazin aq shumë, saqë pothuajse më ra të fikët. Afër kisha një enë me ujë, të cilën e hapa dhe e laga fytyrën. I Dërguari i Allahut ﷺ e kreu namazin, sepse Dielli ishte shfaqur plotësisht dhe u ligjëroi njerëzve. Fillimisht e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun Fuqiplotë, pastaj tha: “Ema badu (E, më pas).”
Disa gra ensare filluan të bënin zhurmë, andaj shikova në drejtim të tyre, që t'ua bëja me dije të heshtnin. E pyeta Aishen:
- Çfarë tha?
- Tha: “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri. Më është shpallur se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja sikurse, - ose ka thënë: përafërsisht si, - sprova e mesihut Dexhall. Do t'i thuhet (secilit prej jush): “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, Hishami ishte në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - do të thotë: “Ai është i Dërguari i Allahut, Muhamedi, na ka ardhur me argumente të qarta dhe udhëzim, e ne i besuam, iu përgjigjëm, e pasuam dhe e pranuam si të vërtetë. I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke besuar në këtë.” Ndërkaq, kur hipokriti, - ose ka thënë: dyshuesi, Hishami ishte në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - pyetet: “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Ai thotë: “Nuk di. Dëgjoja njerëzit tek thoshin diçka, e unë e përsërisja pas tyre.”
Hishami tregon: “Këtë ma ka thënë Fatimja, dhe e kam mbajtur në mend, përpos asaj që ajo ka përmendur: ...”
923. Nga: Amër ibn Taglibi
Muhamed ibn Mameri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e ky nga Xherir ibn Hazimi, e ky e ka dëgjuar Hasenin se Amër ibn Taglibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit të Allahut ﷺ i sollën pasuri, - ose ka thënë: robër, - (prej presë së luftës). Ai e shpërndau, duke u dhënë disave, e disa të tjerëve jo. I shkoi lajmi se ata të cilëve nuk u kishte dhënë, ishin ankuar. Andaj, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas! Betohem në Allahun se dikujt i jap e dikujt s'i jap. Ai të cilit nuk i jap, mund të jetë më i dashur tek unë sesa ai që i jap. Mirëpo, disave u jap për shkak të dobësisë dhe frikës që vërej në zemrat e tyre, e disa i lë me pasurinë dhe mirësinë që Allahu ua ka mbjellë në zemrat e tyre, një prej të cilëve është edhe Amër ibn Taglibi.”
Betohem në Allahun se këtë fjalë të të Dërguarit të Allahut ﷺ nuk do ta kisha ndërruar as me devetë e kuqe (një ndër pasuritë më të shtrenjta).
Këtë transmetim e përforcon Junusi.
924. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një natë vonë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli e u fal në xhami. Disa njerëz shkuan dhe iu bashkëngjitën në namaz. Ditën tjetër njerëzit filluan të flisnin rreth kësaj, kështu që natën vijuese u tubuan më shumë sesa herën e parë. Sërish gjatë ditës biseduan rreth kësaj, andaj, natën e tretë, numri i njerëzve u shtua edhe më shumë. I Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe ata u falën mbrapa tij. Mirëpo, natën e katërt, xhamia u mbush aq shumë, saqë nuk i zinte njerëzit. Pejgamberi ﷺ nuk doli fare. E, kur hyri namazi i sabahut, atëherë doli. Pasi e kreu namazin, u kthye drejt njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; Nuk më ka shpëtuar pa e vënë re veprën tuaj. Mirëpo, frikësohem mos po ju obligohet e pastaj s'do të mund ta kryeni.”
Këtë transmetim e përforcon Junusi.
925. Nga: Ebu Humejd Saidiu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Urve se Ebu Humejd Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një mbrëmje, i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit pas namazit, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ashtu siç i takon Atij, e pastaj tha: “Ema badu (E, më pas).”
Transmetimin e Ebu Humejdit e përforcojnë Ebu Muaviu dhe Ebu Usame nga Hishami, e ky nga babai i tij, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “E, më pas.” Po ashtu, Adeni e ka përforcuar transmetimin e Sufjanit në lidhje me shprehjen: “E, më pas.”
926. Nga: Misver ibn Mahremi
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Ali ibn Husejni se Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe, pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, e dëgjova duke thënë: “Ema badu (E, më pas).”
Zubejdiu e përforcon transmetimin e Zuhriut.
927. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ismail ibn Ebani na ka thënë: Na ka treguar Ibn Gasili, e këtij i ka treguar Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ hipi në minber, e kjo ishte hera e fundit që u ul në të, me një batanije të gjerë të hedhur sipër supeve, ndërsa në kokë kishte një çallmë të trashë. E falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “O njerëz! Më dëgjoni!” Të gjithë e kthyen shikimin drejt tij, pastaj vazhdoi: “E, më pas! Ensarët po pakësohen, kurse njerëzit e tjerë (muslimanët e rinj nga fiset e tjera arabe e joarabe) po shtohen. Nëse dikush merr në përgjegjësi ndonjë çështje të umetit të Muhamedit ﷺ dhe është në dorën e tij që të dëmtojë dikë ose t'i bëjë dobi dikujt, atëherë le t'ua pranojë bamirësve (mirësitë e tyre) dhe le t'i anashkalojë keqbërësit (për veprimet e tyre përderisa ato nuk paraqesin vepër penale).”
30. Nënkapitulli: Ulja mes dy hutbeve ditën e premte
928. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Bishr ibn Mufedali, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i mbante dy hutbe, ndërmjet të cilave qëndronte pakëz ulur.
31. Nënkapitulli: Dëgjimi me vëmendje i hutbes
929. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Abdullah Egarri se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e premte, melekët ndalen te dera e xhamisë dhe i shkruajnë me radhë emrat e atyre që hyjnë në xhami, një nga një. Ai që vjen herët, konsiderohet sikurse ai që bën kurban një deve, pastaj (ai që vjen më vonë) sikurse ai që bën kurban një lopë, pastaj sikurse të ofrojë për kurban një dash, pastaj sikurse të ofrojë për kurban një pulë, pastaj sikurse të ofrojë për kurban një vezë. E, kur imami të hipë në minber, i mbyllin fletushkat dhe e dëgjojnë hutben.”
32. Nënkapitulli: Kur imami sheh ndonjë person duke hyrë gjatë hutbes, e urdhëron t’i falë dy rekate
930. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur hutben ditën e xhuma, erdhi një person, të cilin e pyeti:
- “A u fale, o filan?”
- Jo, - tha ai.
- “E po, ngrihu e falu!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”
33. Nënkapitulli: Kur dikush hyn teksa imami është duke mbajtur hutbe, i fal dy rekate shkurt
931. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur hutben ditën e xhuma, erdhi një person, të cilin e pyeti:
- “A u fale?”
- Jo, - tha ai.
- “E po, fali dy rekate!” - i tha Pejgamberi ﷺ.”
34. Nënkapitulli: Ngritja e duarve (gjatë lutjes) në hutbe
932. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Abdulazizi, e ky nga Enesi. [t]: Junusi na ka thënë: Na ka treguar Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur hutben ditën e xhuma, u ngrit një burrë e i tha: “O i Dërguari i Allahut, na u shkatërruan të mbjellat dhe bagëtitë! Lute Allahun të na çojë shi! Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe u lut.”
35. Nënkapitulli: Duaja e kërkimit të shiut gjatë hutbes ditën e premte
933. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ebu Amri, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, njerëzit i goditi një thatësirë. Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e premte, një beduin u ngrit e i tha: “O i Dërguari i Allahut, na janë shkatërruar pasuritë e na janë uritur familjet! Andaj, lute Allahun për ne!”
Ai i ngriti duart (dhe u lut). Në qiell nuk kishte asnjë re. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se, Pejgamberi ﷺ, akoma pa i ulur duart mirë, retë u mblodhën sikurse të ishin kodra. Ende pa zbritur nga minberi, shiu shkonte rrëke nëpër mjekrën e tij ﷺ. Atë ditë, ra shi pandërprerë, pastaj vazhdoi edhe të nesërmen, të pasnesërmen e deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, - ose ka thënë: dikush tjetër, - u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, na u shkatërruan shtëpitë e na u fundos pasuria! Andaj, lute Allahun për ne!”
Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Dhe, sa herë që bënte me dorë drejt një grumbulli resh, largoheshin tutje. Medina (qielli i saj) u bë sikur një vrimë e madhe, ndërsa lugina Kanat rrodhi ujë një muaj rresht. Çdokush që vinte, fliste për shiun me bollëk.”
36. Nënkapitulli: Dëgjimi në heshtje ditën e premte teksa imami mban hutben
Ai që i drejtohet tjetrit qoftë dhe me fjalën ‘hesht!’, veçse e ka humbur shpërblimin. Selmani transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Teksa imami flet, ata dëgjojnë në heshtje.”
934. Nga: Ebu Hurejra
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse në ditën e premte, teksa imami është duke mbajtur hutben, dikush i flet tjetrit qoftë dhe me fjalën “hesht”, veçse e ka humbur shpërblimin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 934
Fjalë të panjohura?
37. Nënkapitulli: Koha në të cilën nuk refuzohen duatë ditën e premte
935. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ përmendi ditën e premte, e në atë rast tha: “Në të gjendet një kohë që, nëse robi e qëllon duke bërë dua dhe duke i kërkuar diçka Allahut, Ai ia jep” - pastaj bëri me shenjë me dorë, duke aluduar se kjo kohë është e shkurtër.
38. Nënkapitulli: Nëse një pjesë e xhematit largohet prej namazit të xhumasë, namazi i imamit dhe atyre që mbesin me të është i vlefshëm
936. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muavi ibn Amri na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Husajni, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një ditë, teksa po faleshim me Pejgamberin ﷺ, erdhi një karvan devesh që bartte mallra ushqimore. Kur e hetuan këtë, të gjithë të pranishmit shkuan drejt tij, përveç dymbëdhjetë personave. Atëherë zbriti ajeti: “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo...” (Xhumua, 11)
39. Nënkapitulli: Namazi që falet para dhe pas xhumasë
937. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i falte dy rekate para farzit të drekës dhe dy të tjera pas saj. Pas akshamit i falte dy rekate në shtëpinë e vet, si dhe pas jacisë edhe dy rekate. Ndërkaq, pas namazit të xhumasë nuk falej derisa dilte (nga xhamia), pastaj i falte dy rekate (në shtëpi).
40. Nënkapitulli: Fjala Allahut ﷻ: “... dhe pasi të kryhet namazi, shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni mirësitë e Allahut.”
938. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Gasani, e këtij i ka treguar Ebu Hazimi se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një grua mbillte spinaq nëpër vadat e kopshtit të saj. Ditën e premte nxirrte rrënjë të rrepës dhe i vendoste në një enë, u shtonte një grusht elb dhe i ziente, gjë që i jepte rrepës një shije sikurse të mishit. Pas namazit të xhumasë, shkonim dhe e përshëndesnim me selam, e ajo na ofronte atë ushqim për të ngrënë. Mezi e pritnim të premten për këtë ushqim.”
939. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Ebu Hazimi, e ky nga babai i tij se Sehli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Hanim drekë dhe dremitnim vetëm pas namazit të xhumasë.”