Sahihu i Buhariut — Hadithi 924
29. Nënkapitulli: Thënia: ‘Ema badu (E, pas kësaj)’ gjatë hutbes, pasi të kryhet lavdërimi ndaj Allahut
Këtë e transmeton Ikrime nga Ibn Abasi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.
924. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një natë vonë, i Dërguari i Allahut ﷺ doli e u fal në xhami. Disa njerëz shkuan dhe iu bashkëngjitën në namaz. Ditën tjetër njerëzit filluan të flisnin rreth kësaj, kështu që natën vijuese u tubuan më shumë sesa herën e parë. Sërish gjatë ditës biseduan rreth kësaj, andaj, natën e tretë, numri i njerëzve u shtua edhe më shumë. I Dërguari i Allahut ﷺ doli dhe ata u falën mbrapa tij. Mirëpo, natën e katërt, xhamia u mbush aq shumë, saqë nuk i zinte njerëzit. Pejgamberi ﷺ nuk doli fare. E, kur hyri namazi i sabahut, atëherë doli. Pasi e kreu namazin, u kthye drejt njerëzve, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “E, më pas; Nuk më ka shpëtuar pa e vënë re veprën tuaj. Mirëpo, frikësohem mos po ju obligohet e pastaj s'do të mund ta kryeni.”
Këtë transmetim e përforcon Junusi.