Sahihu i Buhariut — Hadithi 933

35. Nënkapitulli: Duaja e kërkimit të shiut gjatë hutbes ditën e premte

933. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ebu Amri, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, njerëzit i goditi një thatësirë. Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e premte, një beduin u ngrit e i tha: “O i Dërguari i Allahut, na janë shkatërruar pasuritë e na janë uritur familjet! Andaj, lute Allahun për ne!”

Ai i ngriti duart (dhe u lut). Në qiell nuk kishte asnjë re. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se, Pejgamberi ﷺ, akoma pa i ulur duart mirë, retë u mblodhën sikurse të ishin kodra. Ende pa zbritur nga minberi, shiu shkonte rrëke nëpër mjekrën e tij ﷺ. Atë ditë, ra shi pandërprerë, pastaj vazhdoi edhe të nesërmen, të pasnesërmen e deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, - ose ka thënë: dikush tjetër, - u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, na u shkatërruan shtëpitë e na u fundos pasuria! Andaj, lute Allahun për ne!”

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Dhe, sa herë që bënte me dorë drejt një grumbulli resh, largoheshin tutje. Medina (qielli i saj) u bë sikur një vrimë e madhe, ndërsa lugina Kanat rrodhi ujë një muaj rresht. Çdokush që vinte, fliste për shiun me bollëk.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 933

Hadithe të ngjashme: Shiko (15)

Fjalë të panjohura?