Sahihu i Buhariut — Hadithi 942
1. Nënkapitulli: Namazi në rast frike
Allahu ﷻ ka thënë: “Kur jeni në udhëtim, nuk është mëkat për ju ta shkurtoni namazin, nëse keni frikë se jobesimtarët ju bëjnë ndonjë dëm. Jobesimtarët, sigurisht, janë armiqtë tuaj të hapur. Kur të jesh në mesin e tyre dhe ua fal namazin, një grup le të falen me ty, duke i bartur armët me vete; kur ta kryejnë sexhden (rekatin), le të largohen mbrapa e le të vijë grupi tjetër, që nuk janë falur, të falen me ty, duke qenë të kujdesshëm (në gatishmëri) duke i bartur armët me vete. Jobesimtarët mezi presin shkujdesin tuaj ndaj armëve dhe mjeteve, e t’ju vërsulen të gjithë përnjëherë (me të gjitha fuqitë). Nëse shiu ju pengon ose jeni të sëmurë, nuk është mëkat t’i lini armët, por kini kujdes! Allahu u ka përgatitur jobesimtarëve vuajtje të turpshme.” (Nisa, 101-102)
942. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky e ka pyetur Zuhriun: A e ka falur Pejgamberi ﷺ namazin e frikës? E ky i ka thënë: Më ka rrëfyer Salimi se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam qenë në një betejë së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ në drejtim të Nexhdit. Kur u përballëm me armikun, u bëmë rresht. I Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit për të na e falur namazin. Një grup (besimtarësh) iu bashkëngjitën në namaz, kurse grupi tjetër doli përballë armikut. I Dërguari i Allahut ﷺ dhe ata që iu bashkuan, e bënë rukunë dhe sexhdet (një rekat), pastaj grupi (që u fal) u largua për t'i zëvendësuar ata që nuk ishin falur. I Dërguari i Allahut ﷺ e fali edhe një rekat me grupin e dytë dhe dha selam. Pastaj, secili u ngrit dhe e falën nga një rekat vetmas.”