Sahihu i Buhariut — Hadithi 945
4. Nënkapitulli: Namazi në rast rrethimi të kështjellave dhe përballjes me armikun
Evzaiu dhe Mekhuli kanë thënë: "Nëse shpresohet fitorja (në luftë) dhe nuk mund ta falin namazin me xhemat, atëherë secili falet vetmas, qoftë dhe vetëm me gjeste. E, nëse nuk munden as kështu, atëherë e vonojnë namazin, derisa të përfundojë beteja ose të strehohen të sigurt, e atëherë i falin dy rekate. E, nëse nuk munden, falin vetëm një rekat dhe dy sexhde. E, nëse nuk munden, atëherë nuk u mjafton vetëm tekbiri, por e vonojnë atë derisa të strehohen të sigurt." Enes ibn Maliku tregon: "Kam marrë pjesë në rrethimin e kështjellës së Tusterit. Gjatë namazit të sabahut, beteja u ashpërsua aq shumë, saqë nuk kishte mundësi të kryhej namazi. Nuk arritëm të faleshim, përveçse pasi u zdrit. Atëkohë, ishim nën udhëheqjen e Ebu Musa Eshariut. Nuk do ta ndërroja atë namaz as me dynjanë dhe ç’ka në të."
945. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Vekiu, e ky nga Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, ditën e Hendekut, Omer ibn Hatabi erdhi pas perëndimit të diellit dhe filloi t'i fyente jobesimtarët kurejshë dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Nuk arrita ta fal ikindinë, veçse pak para perëndimit të diellit. Pejgamberi ﷺ i tha: “Betohem në Allahun se unë ende nuk e kam falur.”
Pastaj shkoi në But'han, mori abdes dhe e fali ikindinë pas perëndimit të diellit, pastaj e fali edhe akshamin.”