Sahihu i Buhariut — Hadithi 966
9. Nënkapitulli: Urrehet mbajtja e armëve ditën e Bajramit ose në Haremin e Qabesë
Haseni thotë: "Janë ndaluar (muslimanët) të bartin armë ditën e Bajramit, përveç nëse i frikësohen ndonjë sulmi të armikut."
966. Nga: Abdullah ibn Omeri
Zekerija ibn Jahja Ebu Sukejni na ka thënë: Na ka treguar Muharibi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Suka se Seid ibn Xhubejri tregon: “Isha në Mina me Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur iu ngul maja e shtizës në shputë, e në atë rast shputa iu ngjit për yzengjie. Andaj, zbrita për t'ia shqitur (shtizën). Kur lajmi i shkoi Haxhaxhit, erdhi për ta vizituar Ibn Omerin dhe i tha:
- Ah, ta dinim kush të ka goditur!
- Ti më ke goditur, - i tha Ibn Omeri.
- E si ashtu? - e pyeti Haxhaxhi.
- Urdhërove të barten armët ditën (e Bajramit) që nuk lejohet të barten dhe i fute armët në Harem. Ndërkohë, armët kurrë nuk janë futur në harem, - i tha Ibn Omeri.”