13. Dy Bajramet
1. Nënkapitulli: Bajramet dhe zbukurimi në to
948. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Omeri mori një xhybe të mëndafshtë nga tregu dhe ia solli të Dërguarit të Allahut ﷺ, e në atë rast i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Blije këtë, të vishesh bukur për Bajram dhe kur të të vijnë delegacionet.
- “Kjo veshje u përket vetëm atyre që nuk kanë hise në botën tjetër.”
Pas një kohe, i Dërguari i Allahut ﷺ i dërgoi Omerit një xhybe të mëndafshtë. Ai erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Ti vetë pate thënë: “Kjo veshje u përket vetëm atyre që nuk kanë hise në botën tjetër”, ndërsa tash po ma dërgon këtë xhybe?
- “Që ta shesësh dhe t'i shfrytëzosh të hollat (e fituara).”
2. Nënkapitulli: Të luajturit me shtizë e mburojë ditën e Bajramit
949. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Abdurrahman Esediu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë, ndërsa në shtëpinë time dy goca të vogla po këndonin këngë (të vjetra) të Buathit. Ai u shtri dhe ktheu shikimin në anën tjetër. Më pas, erdhi Ebu Bekri dhe filloi të më bërtasë: “A zëri i shejtanit në shtëpinë e Pejgamberit ﷺ?!”
I Dërguari i Allahut ﷺ iu drejtua: “Lëri!” Pasi u hutua, ua bëra me shenjë (gocave) dhe dolën.”
950. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishte ditë Bajrami (feste), ndërkohë etiopasit luanin me shtiza e mburoja. Nuk më kujtohet mirë në i kërkova unë apo vetë Pejgamberi ﷺ më tha:
- “A dëshiron t'i shikosh?”
- Po, - i thashë.
Ai më vuri sipër shpinës së vet, e në atë rast faqja ime prekte faqen e tij dhe thoshte:
- “Vazhdoni, o benu erfidë!”
Kur u mërzita duke shikuar, më tha:
- “A mjafton?”
- Po, - i thashë.
- “Shko pra!” - më tha.”
3. Nënkapitulli: Suneti i dy bajrameve për muslimanët
951. Nga: Bera ibn Azibi
Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Zubejdi, e ky e ka dëgjuar Shabiun se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ gjatë ligjërimit duke thënë: “Gjëja e parë që veprojmë këtë ditë është namazi, pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Ai që vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë.”
952. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Njëherë, në një ditë Bajrami, Ebu Bekri erdhi tek unë, e në atë rast gjeti dy goca të vogla ensare duke kënduar histori të ndodhisë së Buathit, ndonëse nuk ishin këngëtare.”
Ebu Bekri tha: “A zëri i shejtanit në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ?!” Ajo ishte ditë Bajrami.
- “O Ebu Bekër, çdo popull ka festat e veta, e kjo festë është jona”, - ia ktheu i Dërguari i Allahut ﷺ.”
4. Nënkapitulli: Të ngrënët ditën e Bajramit të Fitrit para daljes nga shtëpia
953. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Abdurrahimi na ka thënë: Na ka treguar Seid ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Ebu Bekër ibn Enesi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ditën e Bajramit të Fitrit nuk dilte prej shtëpisë pa ngrënë disa hurma.
Muraxhe ibn Rexhai ka thënë: “Më ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Enesi se Pejgamberi ﷺ hante disa hurma (në numër) tek.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 953
Fjalë të panjohura?
5. Nënkapitulli: Të ngrënët ditën e Kurban Bajramit
954. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e ther kurbanin para namazit të Bajramit, le ta përsëritë (therjen e kurbanit).”
Një burrë u ngrit dhe tha: “Kjo është ditë në të cilën pëlqehet mishi”, si dhe përmendi disa fqinjë të tij që kanë nevojë për mish. U duk sikur Pejgamberi ﷺ i besoi. Burri në fjalë tha: “Unë posedoj një dhi më të vogël se njëvjeçare, që e dua më shumë sesa dy dele (a ta ther atë)?”
Pejgamberi ﷺ e lejoi, por nuk e di nëse ky lehtësim ishte edhe për të gjithë të tjerët apo vetëm për atë person.
955. Nga: Bera ibn Azibi
Othmani na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Shabiu se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na mbajti hutben pas namazit të Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha: “Ai që falet sikurse ne e pastaj (pas namazit) ther kurbanin sikurse ne, ia ka qëlluar Sunetit. Ndërkaq, atij që ther kurbanin para namazit, nuk i pranohet për kurban.”
Ebu Berde ibn Nijari, daja i Berait, tha:
- O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur një dele para namazit. Ngaqë sot është ditë ngrënieje e pirjeje, doja që delja ime të ishte e para që theret në shtëpinë time, kështu që e thera dhe hëngra prej saj, para se të vija për namaz.
- “Delja jote konsiderohet dele për mish (e jo kurban)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- O i Dërguari i Allahut! Ne posedojmë një kec dhie e që është më i dashur për mua sesa dy dele, a do të më mjaftonte ajë? - e pyeti sërish.
- “Po, ama kjo nuk lejohet për të tjerët pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
6. Nënkapitulli: Dalja në namazgja pa minber
956. Nga: Ebu Seid Hudriu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejdi, e ky nga Ijad ibn Abdullah ibn Ebu Serhu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në ditën e Bajramit të Fitrit dhe Kurbanit i Dërguari i Allahut ﷺ dilte në namazgjah dhe gjëja e parë që bënte ishte namazi. Pastaj, ngrihej në drejtim të njerëzve, të cilët qëndronin ulur nëpër safa dhe i këshillonte, i porosiste dhe i urdhëronte. Po të donte të ndante ndonjë grup për ta dërguar në ndonjë mision ushtarak, e ndante, e, po të donte t'i urdhëronte për diçka, i urdhëronte. Më pas, e përfundonte ligjërimin.
Kështu vazhdoi praktika e ligjërimit derisa një ditë, për Bajramin e Kurbanit ose Fitrit, dola me Mervanin, që atëkohë ishte prijës i Medinës dhe, kur arritëm në namazgjah, pashë një minber që e kishte ndërtuar Kethir ibn Salti. Mervani mori të ngjitej në minber para namazit, andaj e kapa për rrobe, por ai e tërhoqi rrobën dhe u ngjit dhe e mbajti hutben para namazit. I thashë:
- Betohem në Allahun se i paskeni ndryshuar gjërat.
- O Ebu Seid, gjërat nuk janë ashtu siç i mbajtke ti në mend, - më tha Mervani.
- Betohem në Allahun se ajo që di unë është më e mirë sesa ajo që nuk di, - i thashë.
- Njerëzit nuk prisnin të na dëgjonin pas namazit, andaj u desh që ta zhvendosnim (hutben) para namazit, - tha Mervani.”
7. Nënkapitulli: Të shkuarit për namazin e Bajramit këmbas ose hipur në mjet udhëtimi, falja e namazit para hutbes, pa e lajmëruar me ezan ose ikamet
957. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enesi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, për Bajramin e Kurbanit ose Fitrit, i Dërguari i Allahut ﷺ njëherë falej, e pas namazit e mbante hutben.
958. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hishami, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ doli për Bajramin e Fitrit, fillimisht e fali namazin, pastaj e mbajti hutben.
959. Nga: Abdullah ibn Abasi
Atai më ka rrëfyer se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i dërgoi letër Ibn Zubejrit, në kohën kur (ishte bërë udhëheqës dhe kur) njerëzit ia kishin dhënë besën, ku i shkruante: “Ditën e Bajramit të Fitrit nuk thirret ezani për namazin e Bajramit, si dhe hutbeja vjen pas namazit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 959
Fjalë të panjohura?
960. Nga: Abdullah ibn Abasi - Xhabir ibn Abdullahu
Atai ka rrëfyer: Ibn Abasi dhe Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se ezani nuk thirrej as për namazin e Bajramit të Fitrit, as për namazin e Bajramit të Kurbanit.
Referenca: Sahihu i Buhariut 960
Fjalë të panjohura?
961. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Fillimisht Pejgamberi ﷺ u fal, pastaj ua mbajti njerëzve hutben. Pasi e kreu, lëvizi dhe shkoi te gratë e i këshilloi. Gjatë kësaj kohe mbahej për dorën e Bilalit, ndërkohë Bilali e shtrinte rrobën e tij, që njerëzit t'i vendosnin sadakatë e tyre.
Ibn Xhurejxhi tregon se e pyeti Atain:
- A mendon se edhe tani imami e ka për detyrë të shkojë te gratë e t'i këshillojë pas hutbes (së Bajramit)?
- Kjo është detyra e tyre, e pse të mos e kryejnë? - tha Atai.”
8. Nënkapitulli: Hutbja pas namazit të Bajramit
962. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Hasen ibn Muslimi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bajramit kam marrë pjesë tek i Dërguari i Allahut ﷺ, tek Ebu Bekri, tek Omeri e tek Othmani dhe, që të gjithë, namazin (e Bajramit) e falnin para hutbes.”
963. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri dhe Omeri namazin e Bajrameve e falnin para hutbes.
964. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Adij ibn Thabiti, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Bajramit të Fitrit Pejgamberi ﷺ i fali dy rekate dhe nuk fali asgjë tjetër, as para, as pas këtyre dy rekatesh. Pastaj, së bashku me Bilalin, shkoi te gratë dhe i urdhëroi me sadaka. Ato filluan të jepnin, saqë i hidhnin byzylykët dhe gjerdanët e veta.
965. Nga: Bera ibn Azibi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Zubejdi, e ky e ka dëgjuar Shabiun se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjëja e parë që veprojmë këtë ditë është namazi, pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Ai që vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë. Ndërkaq, ai që ther para namazit, nuk ka therur kurban, por thjesht i ka ofruar mish familjes së vet.”
Një burrë ensar, i quajtur Ebu Burde ibn Nijari, tha:
- O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur (para namazit). Por, posedoj një kec, që është më i mirë sesa një e tillë njëvjeçare.
- “There dhinë njëvjeçare në vend të saj. Mirëpo, ky lehtësim nuk vlen për askënd tjetër pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
9. Nënkapitulli: Urrehet mbajtja e armëve ditën e Bajramit ose në Haremin e Qabesë
Haseni thotë: "Janë ndaluar (muslimanët) të bartin armë ditën e Bajramit, përveç nëse i frikësohen ndonjë sulmi të armikut."
966. Nga: Abdullah ibn Omeri
Zekerija ibn Jahja Ebu Sukejni na ka thënë: Na ka treguar Muharibi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Suka se Seid ibn Xhubejri tregon: “Isha në Mina me Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur iu ngul maja e shtizës në shputë, e në atë rast shputa iu ngjit për yzengjie. Andaj, zbrita për t'ia shqitur (shtizën). Kur lajmi i shkoi Haxhaxhit, erdhi për ta vizituar Ibn Omerin dhe i tha:
- Ah, ta dinim kush të ka goditur!
- Ti më ke goditur, - i tha Ibn Omeri.
- E si ashtu? - e pyeti Haxhaxhi.
- Urdhërove të barten armët ditën (e Bajramit) që nuk lejohet të barten dhe i fute armët në Harem. Ndërkohë, armët kurrë nuk janë futur në harem, - i tha Ibn Omeri.”
967. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Jakubi na ka thënë: Më ka treguar Is'hak ibn Seid ibn Amër ibn Seid ibn Asi, se babai i tij Seid ibn Amri tregon: “Teksa isha tek Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), erdhi Haxhaxhi dhe e pyeti:
- Si ndihesh?
- Mirë, - tha Ibn Omeri.
- Kush të qëlloi? - pyeti Haxhaxhi.
- Më qëlloi ai që urdhëroi të barten armët në ditën që nuk lejohet bartja e tyre, - tha Ibn Omeri, duke aluduar në Haxhaxhin.”
10. Nënkapitulli: Shkuarja herët për namazin e Bajramit
Abdullah ibn Busri tregon: "Dilnim (për namazin e Bajramit) paradite herët, menjëherë pas lindjes së diellit (në kohën e namazit të duhasë)."
968. Nga: Bera ibn Azibi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Zubejdi, e ky nga Shabiu se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na ligjëroi ditën e Bajramit të Kurbanit dhe na tha: “Gjëja e parë që veprojmë këtë ditë është namazi, pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Ai që vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë. Ndërkaq, ai që ther para namazit, nuk ka therur kurban, por thjesht i ka ofruar mish familjes së vet.”
Daja im, Ebu Berde ibn Nijari, u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Unë kam therur para namazit, por posedoj një kec, që është më i mirë sesa një e tillë njëvjeçare.
- “There këtë në vend të saj, - ose ka thënë: there atë, - por askujt tjetër pas teje nuk i lejohet të therë dhi më të vogël se njëvjeçare”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
11. Nënkapitulli: Vlera e veprave të mira gjatë tri ditëve të para të Bajramit të Kurbanit
Ibn Abasi, në komentimin e ajetit: “... që ta përmendin Allahun në ditë të caktuara...”, (Haxh, 28) thotë: "Pra, dhjetë ditët (e muajit dhul hixhe), kurse ditët e caktuara janë ditët e Bajramit. Ibn Omeri dhe Ebu Hurejra, gjatë dhjetë ditëve, dilnin nëpër treg dhe bënin tekbire, ndërkohë njerëzit madhëronin Allahun me tekbiret e tyre. Muhamed ibn Aliu bënte tekbiret edhe pas namazeve nafile."
969. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Muslim Batini, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
- “Veprat e bëra gjatë dhjetë ditëve (të muajit dhul hixhe) nuk janë më të vlefshme sesa veprat gjatë këtyre ditëve (të Bajramit).”
- As xhihadi? - e pyetën.
- “As xhihadi, përveç atij që del (për luftë) duke rrezikuar jetën dhe pasurinë e vet, e nuk kthehet më.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 969
Fjalë të panjohura?
12. Nënkapitulli: Këndimi i tekbireve ditëve të qëndrimit në Mina dhe gjatë shkuarjes në Arafat
Omeri bënte tekbire në tendën e tij në Mina, saqë e dëgjonin edhe njerëzit në xhami, të cilët po ashtu bënin tekbire. Gjithashtu, njerëzit në treg bënin tekbire, saqë tërë Mina ushtonte nga tekbiret. Ibn Omeri gjatë këtyre ditëve bënte tekbire në Mina, pas namazeve, në shtrat, në tendë, në ndeja dhe gjatë ecjes. Mejmunja bënte tekbire ditën e Bajramit të Kurbanit. Gratë, ditëve të Bajramit, bënin tekbire me burrat në xhami, prapa Eban ibn Othmanit e Omer ibn Abdulazizit.
970. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Enesi se Muhamed ibn Ebu Bekër Thekafiu tregon: “Teksa po shkonim prej Minas në Arafat, e pyeta Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth telbijes:
- Si e bënit në kohën e Pejgamberit ﷺ?
- Ai që donte, bënte telbijen, e, ai që s'donte, bënte tekbiret, por askush nuk e qortonte tjetrin (për këtë), - tha ai.”
971. Nga: Umu Atija Ensarja
Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Hafsi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Asimi, e ky nga Hafsa se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Urdhëroheshim të dilnim ditën e Bajramit, saqë dilnin edhe vashat e reja nga veçanet, e edhe ato me menstruacione, e të gjitha qëndronin mbrapa turmës së njerëzve, ku bënin tekbire dhe dua me ta. Shpresonin bekimin dhe faljen (e mëkateve) në atë ditë.”
13. Nënkapitulli: Falja e namazit duke e shfrytëzuar shtizën si sutër ditën e Bajramit
972. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, përpara Pejgamberit ﷺ, ditën e Bajramit të Fitrit dhe Kurbanit, vendosnin një shtizë, pastaj falej (në drejtim të saj).
14. Nënkapitulli: Vendosja e shkopit ose shtizës para imamit ditën e Bajramit
973. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ebu Amri, e këtij i ka rrëfyer Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ shkonte në namazgjah, para vetes e gjente shtizën të ngulitur në tokë, pastaj falej në drejtim të saj.”
15. Nënkapitulli: Vajtja e grave dhe atyre me menstruacione në namazgja
974. Nga: Umu Atija Ensarja
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na urdhëroi (ditën e Bajramit) t'i merrnim me vete edhe virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre.”
Ngjashëm është transmetuar edhe nga Ejubi, e ky nga Hafsa. Por në hadithin e Hafsës ka shtuar: ... t'i merrnim me vete edhe virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre, porse ato me menstruacione (të vinin, por) t'i shmangen namazgjahut.
Referenca: Sahihu i Buhariut 974
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Vajtja e fëmijëve në namazgja
975. Nga: Abdullah ibn Abasi
Amër ibn Abasi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrahmani, e këtij i ka treguar Sufjani, e ky nga Abdurrahmani se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bajramit të Fitrit ose Kurbanit dola me Pejgamberin ﷺ. Ai e fali namazin e Bajramit dhe ligjëroi, pastaj shkoi te gratë dhe i këshilloi, i porositi dhe i urdhëroi me sadaka.”
17. Nënkapitulli: Kthimi i imamit në drejtim të njerëzve gjatë hutbes së Bajramit
Ebu Seidi tregon se Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe u drejtua nga njerëzit.
976. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Talhai, e ky nga Zubejdi, e ky nga Shabiu se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bajramit të Kurbanit, Pejgamberi ﷺ doli në drejtim të Bekies dhe fali namazin e Bajramit dy rekate, pastaj u kthye me fytyrë nga ne dhe na tha: “Gjëja e parë që veprojmë këtë ditë është namazi, pastaj kthehemi dhe i therim kurbanet. Ai që vepron kështu, ia ka qëlluar Sunetit tonë. Ndërkaq, ai që ther para namazit, nuk ka therur kurban, por thjesht i ka ofruar mish familjes së vet.”
Një burrë u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut, unë tashmë e kam therur (para namazit), por posedoj një kec, që është më i mirë sesa një e tillë njëvjeçare.
- “There, por kjo nuk i lejohet askujt tjetër pas teje”, - tha Pejgamberi ﷺ.”
18. Nënkapitulli: Shenjat e vendosura në namazgja
977. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani se Abdurrahman ibn Abisi tregon: “Kam dëgjuar dikë duke pyetur Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
- A ke qenë i pranishëm kur Pejgamberi ﷺ doli për namazin e Bajramit?
- Po. Sikur të mos kishte qenë afërsia ime me Pejgamberin ﷺ, për shkak të moshës sime të re, nuk do të dilja me të. Ai shkoi te kodrina afër shtëpisë së Kethir ibn Saltit, u fal dhe u ligjëroi njerëzve, pastaj shkoi te gratë bashkë me Bilalin dhe i këshilloi ato, i rikujtoi dhe i urdhëroi të jepnin sadaka. Gratë i këputnin gjerdanet e tyre dhe i hidhnin në rrobën e Bilalit. Pas kësaj shkuan së bashku me Bilalin në shtëpinë e tij, - tha Ibn Abasi.”
19. Nënkapitulli: Këshilla e imamit drejtuar grave ditën e Bajramit
978. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Is'hak ibn Ibrahim ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka treguar Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Fillimisht, ditën e Bajramit të Fitrit Pejgamberi ﷺ e fali namazin, pastaj mbajti hutben. Pasi e kreu, shkoi te gratë dhe i rikujtoi. Gjatë kësaj kohe mbahej për dorën e Bilalit, ndërkohë Bilali e shtrinte rrobën e tij, që gratë t'i vendosnin sadakatë e tyre.
Ibn Xhurejxhi tregon se e pyeti Atain:
- Zekatin e Fitrit (po e jepnin)?
- Jo, ishte thjesht sadaka, që e jepnin vullnetarisht. I hidhnin unazat dhe çfarë kishin me vete, - iu përgjigj Atai.
- A mendon se (edhe tani) imami e ka për detyrë të shkojë te gratë e t'i këshillojë pas hutbes (së Bajramit)? - pyeti Ibn Xhurejxhi.
- Kjo është detyra e tyre, e pse të mos e kryejnë? - tha Atai.”
979. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ibn Xhurejxhi ka thënë: Më ka rrëfyer Hasen ibn Muslimi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam marrë pjesë në faljen e Bajramit të Fitrit te Pejgamberi ﷺ, tek Ebu Bekri, tek Omeri dhe tek Othmani. Të gjithë e falnin namazin para hutbes, pastaj ligjëronin. Sikur po e shoh tani Pejgamberin ﷺ kur doli (pas namazit të Bajramit) duke ua bërë njerëzve me dorë, që të uleshin, dhe eci së bashku me Bilalin nëpërmjet safave derisa arriti te gratë, ku lexoi ajetin: “Nëse vijnë te ti besimtaret e të betohen se nuk do t'i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë kurvëri, nuk do t'i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t'i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë” (Mumtehine, 12) dhe u tha:
- “A jeni ende në këtë betim?”
- Po, - i tha njëra prej grave. Gratë e tjera nuk u përgjigjën, kurse për këtë Haseni nuk e dinte se cila ka qenë.
- “Atëherë jepni sadaka”, - u tha Pejgamberi ﷺ.
Pastaj, Bilali e shtriu rrobën e tij (që gratë t'i vendosnin sadakatë e tyre) dhe u thoshte:
- Ejani, shpejtoni. Babë e nënë kurban i bëfsha!
Ato i hidhnin byzylykët dhe unazat në rrobën e Bilalit.”
20. Nënkapitulli: Nëse femra nuk posedon mantel ditën e Bajramit
980. Nga: Umu Atija Ensarja
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi se Hafsa bint Sirini (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”
Një ditë, një grua erdhi në shtëpinë e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse ime motër kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh. Ajo citoi motrën e saj: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë në Bajram (gjatë faljes)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”
Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija, e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë kështu e kështu?”
- Kurban i bëfsha babanë tim (e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë). Po, e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - Ejubi është në mëdyshje, - dhe ato që janë me menstruacione që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, e, në namaz (të Bajramit), të mos bashkëngjiten ato me menstruacione”, - tha ajo.
- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.
- Po. A nuk prezantojnë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.”
21. Nënkapitulli: Largimi i femrave me menstruacione nga namazgjaja
981. Nga: Umu Atija Ensarja
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U urdhëruam të dilnim (për Bajram) dhe t'i merrnim me vete gratë me menstruacione, virgjëreshat e reja dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre.” Ibn Avniu shton: “Ose ka thënë: “Virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre. Ato që ishin me menstruacione, thjesht merrnin pjesë në tubimin dhe lutjet e besimtarëve, por jo në namazgjah.”
22. Nënkapitulli: Therja e kurbaneve në namazgja ditën e Bajramit
982. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Kethir ibn Ferkadi, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ therjen e bënte te namazgjahu.
23. Nënkapitulli: Të folurit e imamit dhe njerëzve të tjerë gjatë hutbes së Bajramit dhe nëse imami pyetet diçka teksa mban hutben
983. Nga: Bera ibn Azibi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Mensur ibn Muëtemiri, e ky nga Shabiu se Bera ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ na ligjëroi pas namazit të Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha: “Ai që falet sikurse ne e pastaj (pas namazit) ther kurbanin sikurse ne, ia ka qëlluar Sunetit. Ndërkaq, ai që ther kurban para namazit, thjesht ka therur për mish (andaj nuk i pranohet si kurban).”
Ebu Burde ibn Nijari tha:
- O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun se unë e kam therur para namazit. Ngaqë sot është ditë ngrënieje e pirjeje, nxitova të haja dhe e ushqeva familjen e fqinjët.
- “Delja jote konsiderohet therje për mish (e jo kurban)”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
- Unë posedoj një kec dhie, që është më e majme sesa dy dele, a do të më mjaftonte kjo? - pyeti sërish.
- “Po (ama kjo është vetëm për ty), por jo për të tjerët pas teje”, - i tha Pejgamberi ﷺ.”
984. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hamid ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u fal ditën e Bajramit të Kurbanit dhe, gjatë ligjërimit, urdhëroi që ai që kishte bërë therjen para namazit, të therte përsëdyti (pas faljes).
Një burrë ensar tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam disa fqinjë, - nevojtarë, ose ka thënë: të varfër, - andaj kam bërë therjen para namazit. Mirëpo, posedoj një dhi më të vogël se njëvjeçare, që e dua më shumë sesa dy dele (a ta ther atë në vend të deles?).”
Sakaq, Pejgamberi ﷺ ia lejoi këtë gjë atij.
985. Nga: Xhundub ibn Abdullah Bexheliu
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Esvedi se Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ na e fali namazin ditën e Bajramit të Kurbanit, më pas ligjëroi, e bëri therjen dhe pastaj tha: “Ai që e ka bërë therjen para namazit, le të therë edhe një tjetër (pas faljes). Ndërkaq, ai që (akoma) nuk e ka bërë therjen, le të therë tani me bismilah.”
24. Nënkapitulli: Ndërrimi i rrugës gjatë kthimit në shtëpi ditën e Bajramit
986. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Tumejle Jahja ibn Vadihu, e ky nga Fulejh ibn Sulejmani, e ky nga Seid ibn Harithi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ditën e Bajramit Pejgamberi ﷺ e ndryshonte rrugën (nuk kthehej nëpër rrugën e njëjtë).”
Këtë hadith e përforcon Jununs ibn Muhamedi nga Fulejhu, por hadithi i Xhabirit është më i saktë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 986
Fjalë të panjohura?
25. Nënkapitulli: Nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit, i fal vetëm dy rekate nafile
Kështu veprojnë edhe gratë, ata që rrinë në shtëpi dhe ata, në vendet e të cilëve nuk falet Bajrami. Enes ibn Maliku e urdhëronte shërbëtorin e tyre, Ibn Ebu Utben, që t’i bashkonte familjarët te një pjesë e shtëpisë, për t'u falur siç falen nëpër qytete (për Bajram) dhe të bënin tekbire sikurse ata. Ikrime ka thënë: "Fshatrat e vogla[1] (për nga numri i banorëve, si dhe ata që janë në udhëtim), tubohen për Bajram dhe i falin dy rekate, ashtu siç vepron prijësi (në qytet)." Atai ka thënë: "Nëse dikujt i ikën namazi i Bajramit, i fal dy rekate (nafile)."
987. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë, në Mina, i vajti Ebu Bekri, e në atë rast hasi dy goca të vogla duke kënduar me def. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ ishte i shtrirë dhe i mbuluar me një rrobë. Kur (Ebu Bekri) i qortoi ato, Pejgamberi ﷺ e zbuloi fytyrën dhe i tha: “O Ebu Bekër! Lëri, se këto janë ditë feste.” Ato ditë ishin ditë Bajrami në Mina.
988. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më mbulonte me rrobën e tij gjatë kohës sa po i shikoja etiopasit duke luajtur në xhami. Omeri u bërtiti (etiopasve), por Pejgamberi ﷺ tha: “Lëri! Vazhdoni të qetë, o benu erfidë.”
26. Nënkapitulli: Namazi nafile para ose pas namazit të Bajramit
Ebu Muala ka thënë: "E kam dëgjuar Seidin duke treguar për Ibn Abasin se urrente që dikush të falej para namazit të Bajramit."
989. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Adij ibn Thabiti, e ky e ka dëgjuar Seid ibn Xhubejrin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, ditën e Bajramit të Fitrit, Pejgamberi ﷺ doli e i fali dy rekate namaz (të Bajramit). Nuk fali asgjë tjetër, as para, as pas tij (namazit të Bajramit). Me të ishte edhe Bilali.
Referenca: Sahihu i Buhariut 989
Fjalë të panjohura?