Sahihu i Buhariut — Hadithi 97
31. Nënkapitulli: Personi që mëson robëreshën dhe gruan e vet
97. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka treguar Muharibi, e këtij i ka treguar Salih ibn Hajani se Amir Shabiu ka thënë: Më ka treguar Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tre persona kanë shpërblim të dyfishtë:
1. Personi, ithtar i Librit, që e ka besuar pejgamberin e vet dhe e beson Muhamedin ﷺ;
2. Robi që kryen detyrat ndaj Allahut Fuqiplotë dhe detyrat ndaj zotërisë së vet;
3. Personi që posedon robëreshë, të cilën e edukon dhe e mëson në formën më të mirë, e pastaj e liron dhe martohet me të, i tilli shpërblehet dy herë.”
Pastaj, Amiri i tha nxënësit të tij: “Ta dhamë këtë hadith pa ndonjë mund të madh, ndërsa më herët njerëzit udhëtonin deri në Medinë për diçka edhe më të vogël se kjo.”