Sahihu i Buhariut — Hadithi 980

20. Nënkapitulli: Nëse femra nuk posedon mantel ditën e Bajramit

980. Nga: Umu Atija Ensarja

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi se Hafsa bint Sirini (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”

Një ditë, një grua erdhi në shtëpinë e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse ime motër kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh. Ajo citoi motrën e saj: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë në Bajram (gjatë faljes)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija, e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë kështu e kështu?”

- Kurban i bëfsha babanë tim (e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë). Po, e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - Ejubi është në mëdyshje, - dhe ato që janë me menstruacione që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, e, në namaz (të Bajramit), të mos bashkëngjiten ato me menstruacione”, - tha ajo.

- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.

- Po. A nuk prezantojnë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 980

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?