Hadithet e ngjashme me hadithin 758
Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.
758. Nga: Xhabir ibn Semure
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Sadi ka thënë:
- Unë, namazin e drekës dhe ikindisë, ua fal sikurse i Dërguari i Allahut ﷺ, nuk u lë mangët. I zgjas dy rekatet e para, kurse të dytat i shkurtoj.
- Kështu të dinim edhe ne, - tha Omeri.
Referenca: Sahihu i Buhariut 758
Fjalë të panjohura?
755. Nga: Xhabir ibn Semure
Musai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Abdulmelik ibn Umejri se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Banorët e Kufes iu ankuan Omerit për Sadin. Kështu, e shkarkoi atë prej detyrës dhe, në vend të tij, e emëroi Amarin. Përsëri iu ankuan, madje thanë se as namazin nuk po ua fal mirë. Andaj, Omeri dërgoi dikë e i tha:
- O Ebu Is'hak! Këta po më thonë se nuk po ua fal namazin siç duhet.
- Betohem në Allahun se unë po ua fal namazin sikurse i Dërguari i Allahut ﷺ, asgjë nuk po ua lë mangët. Kur ua fal jacinë, në dy rekatet e para e zgjas leximin, kurse në të fundit e shkurtoj, - tha Sadi.
- Kështu mendonim edhe ne, o Ebu Is'hak, - tha Omeri.
Pastaj, dërgoi disa njerëz nëpër Kufe, që t'i pyesnin banorët e saj rreth Sadit.
Në çdo xhami që pyesnin për të, njerëzit e lavdëronin me fjalë të mira. Përveç në një xhami të fisit benu Abs, një njeri, i quajtur Usame ibn Katade, me nofkën Ebu Sade, u ngrit dhe tha:
- Meqë na pyete (po të tregoj): Sadi nuk del nëpër ekspedita luftarake, nuk është i drejtë në ndarjen e pasurisë (plaçkës së luftës) dhe nuk gjykon drejt.
- Betohem në Allahun se do t'i bëj tri dua: O Allah, nëse ky njeri po gënjen dhe është ngritur për syefaqësi dhe famë, zgjatja jetën, varfëroje dhe sprovoje në forma të ndryshme! - tha Sadi.
Xhabiri thotë: “Më pas, kur (burri që kishte gënjyer) pyetej për këtë gjë, thoshte: “Burrë plak e i sprovuar, më ka goditur mallkimi i Sadit.”
Abdulmeliku thotë: “Më vonë pata parë se, ndonëse vetullat i qenë varur mbi sy nga mosha, ai i ngacmonte vashat e reja nëpër rrugë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 755
Fjalë të panjohura?
770. Nga: Xhabir ibn Semure
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Avni se Xhabir ibn Semure (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri i tha Sadit:
- Janë ankuar për ty për çdo gjë, madje edhe për namazin tënd.
- Unë i zgjas dy rekatet e para e i shkurtoj dy të fundit dhe aspak nuk e ndryshoj formën e namazit siç e kam mësuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, - tha Sadi.
- Të lumtë! Kështu të dija edhe unë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 770
Fjalë të panjohura?