Sahihu i Buhariut — Hadithi 1015
8. Nënkapitulli: Kërkimi i shiut duke qenë në minber
1015. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, erdhi një burrë dhe i tha:
- O i Dërguari i Allahut! Po mban thatësirë e madhe, andaj lute Allahun të na çojë shi!
Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast filloi të bjerë shi, saqë mezi arritëm nëpër shtëpitë tona.
Shiu vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme. Atëherë, i njëjti person (ose dikush tjetër) u ngrit dhe tha:
- O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të na e largojë!
Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”
Shihja se si retë shpërndaheshin në të djathtë e në të majtë duke lëshuar shi, porse në Medinë nuk kishte reshje.”