Sahihu i Buhariut — Hadithi 1167

25. Nënkapitulli: Transmetimet rreth namazeve vullnetare që pohojnë se duhen falur dy nga dy

Kjo është transmetuar edhe (si fjalë apo vepër e) Amarit, Ebu Dherrit, Enesit, Xhabir ibn Zejdit, Ikrimes dhe Zuhriut. Jahja ibn Seid Ensariu thotë: "Të gjithë dijetarët që i kam takuar në vendin tonë (Medine), jepnin selam pas çdo dy rekateve nafile gjatë ditës."

1167. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sejf ibn Sulejman Mekiu se Muxhahidi transmeton se dikush shkoi tek Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në shtëpi dhe i tregoi se i Dërguari i Allahut ﷺ hyri brenda në Qabe.

Ibn Omeri tregon: “Shpejtova dhe e takova të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili sapo kishte dalë, dhe Bilalin, i cili po qëndronte në këmbë te dera (e Qabesë). E pyeta:

- O Bilal, a u fal i Dërguari i Allahut ﷺ (brenda Qabesë)?

- Po, - m'u përgjigj ai.

- Ku?

- Mes këtyre dy shtyllave, pastaj doli e i fali edhe dy rekate përballë derës së Qabesë, - tha Bilali.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më ka porositur për dy rekatet e duhasë.”

Itbani tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ dhe Ebu Bekri më erdhën kur dielli u ngrit lart në kupën e qiellit (paradite), e në atë rast ne u rreshtuam pas tij dhe i fali dy rekate.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1167

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?