Sahihu i Buhariut — Hadithi 1229

5. Nënkapitulli: Thënia e tekbireve për sehvi sexhden

1229. Nga: Ebu Hurejra

Hafs ibn Omeri na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e ky nga Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po na falte njërin prej namazeve të pasdites, - Muhamedi (transmetuesi) thotë: “Ka të ngjarë të ketë qenë ikindia, - i fali dy rekate dhe dha selam. U ngrit dhe shkoi në pjesën e parme të xhamisë, te një cung, ku vendosi dorën e tij (dhe u mbështet).

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Ebu Bekri me Omerin, mirëpo druajtën ta pyesin (rreth asaj që ndodhi) nga respekti që kishin për të.

Ata që nguteshin, duke dalë (nga xhamia) thoshin: “Vallë, është shkurtuar namazi?”

Mirëpo, një burrë, të cilin Pejgamberi ﷺ e quante Dhuljedejn (Duargjati), pyeti:

- A harrove apo u shkurtua namazi?

- “As kam harruar, as është shkurtuar namazi”, - tha Pejgamberi ﷺ.

- Po, vërtet harrove, - ia ktheu ai.

Atëherë Pejgamberi ﷺ i fali dy rekate, dha selam, bëri tekbirin dhe ra në sexhde, sikurse në sexhden e namazit, ose më gjatë, e ngriti kokën duke bërë tekbirin, pastaj sërish ra në sexhde dhe u ngrit prej saj me tekbir.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1229

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?