Sahihu i Buhariut — Hadithi 1287

32. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ në lidhje me atë që e ka traditë vajtimin: “Njeriu dënohet në varr për shkak të vajtimit të familjes së vet.”

Allahu ﷻ ka thënë: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri...” (Tahrim, 6) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari që do të merret në llogari për kopenë e vet.” E, nëse (vajtimi) nuk ka qenë traditë e të vdekurit (për të cilin të tjerët vajtojnë), atëherë çështja mbetet ashtu siç ka thënë Aishja (duke i cituar ajetet): “... askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit...” (Enam, 164), dhe: “... nëse i ngarkuari rëndë (mëkatari) thërret dikë që t’ia bartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra...” (Fatir, 18) Lejohet të qarit që nuk përmban vajtim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokush që vritet padrejtësisht, të birit të parë të Ademit i shkruhet një pjesë e mëkatit”, sepse ai ka qenë i pari që e ka nisur vrasjen.

1287. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se edhe Omeri thoshte diçka të ngjashme (me hadithin paraprak). Pastaj tregoi: “U kthyem prej Mekës me Omerin, derisa arritëm në Bejda. Aty hasëm një karvan me njerëz nën hijen e një peme, e ai më tha: “Shko shiko cilët janë ata në këtë karvan?” Kur shikova, e pashë Suhejbin, andaj i tregova. Ai më tha: “Thirrma atë.” U ktheva te Suhejbi dhe i thashë: “Nisu dhe shko te prijësi i besimtarëve.” (Pas një kohe) kur Omeri u plagos, Suhejbi shkoi tek ai dhe, duke qarë, thoshte: “Ah, vëllai dhe shoku im i gjorë!” Në atë rast Omeri i tha: “O Suhejb, po qan për mua, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “I vdekuri dënohet për shkak të disa të qarave që i bën familja e vet për të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1287

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?