Sahihu i Buhariut — Hadithi 1536
17. Nënkapitulli: Larja e parfumit nga rrobat e ihramit tri herë
1536. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e këtij i ka rrëfyer Safvan ibn Jala se Jalai i tha Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Më trego si i zbret shpallja Pejgamberit ﷺ.” Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë së bashku me disa shokë të tij, vajti një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për një person që ka hyrë në ihram për umre, i zhytur në parfum?” Pejgamberi ﷺ heshti një moment sepse po i zbriste shpallja. Omeri e thirri Jalain, i cili, kur vajti, të Dërguarin e Allahut ﷺ e gjeti tek i bëhej hije me një rrobë. Kështu, futi kokën nën rrobë dhe pa se të Dërguarit të Allahut ﷺ i ishte skuqur fytyra dhe po gërhiste. Pasi u qetësua dalëngadalë, tha: “Ku është ai që pyeti rreth umrës?” Kur e sollën, Pejgamberi ﷺ i tha: “Pastroje parfumin nga trupi tri herë, zhvishe xhyben dhe vepro gjatë umrës ato që i vepron gjatë haxhit.”
Ibn Xhurejxhi thotë: “E pyeta Atain: “Kur e ka urdhëruar për ta larë (rrobën) tri herë, a e ka pasur për qëllim që ta pastrojë sa më shumë?” Ai tha: “Po.”