Hadithet e ngjashme me hadithin 1536

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

1536. Nga: Jala ibn Umeje

Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e këtij i ka rrëfyer Safvan ibn Jala se Jalai i tha Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Më trego si i zbret shpallja Pejgamberit ﷺ.” Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë së bashku me disa shokë të tij, vajti një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për një person që ka hyrë në ihram për umre, i zhytur në parfum?” Pejgamberi ﷺ heshti një moment sepse po i zbriste shpallja. Omeri e thirri Jalain, i cili, kur vajti, të Dërguarin e Allahut ﷺ e gjeti tek i bëhej hije me një rrobë. Kështu, futi kokën nën rrobë dhe pa se të Dërguarit të Allahut ﷺ i ishte skuqur fytyra dhe po gërhiste. Pasi u qetësua dalëngadalë, tha: “Ku është ai që pyeti rreth umrës?” Kur e sollën, Pejgamberi ﷺ i tha: “Pastroje parfumin nga trupi tri herë, zhvishe xhyben dhe vepro gjatë umrës ato që i vepron gjatë haxhit.”

Ibn Xhurejxhi thotë: “E pyeta Atain: “Kur e ka urdhëruar për ta larë (rrobën) tri herë, a e ka pasur për qëllim që ta pastrojë sa më shumë?” Ai tha: “Po.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1536

Fjalë të panjohura?

1789. Nga: Jala ibn Umeje

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Atai, e këtij i ka treguar Safvan ibn Jala ibn Umeje se babai i tij Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë, i vajti një njeri, i cili kishte të veshur një xhybe, ku kishte gjurmë të verdha parfumi, - ose ka thënë: ngjyrë të verdhë.” - Ai pyeti: “Çfarë më urdhëron të bëj gjatë umrës?” Atëherë, Allahu ia zbriti shpalljen Pejgamberit ﷺ, ndërsa shokët e tij i bënin hije me një rrobë. Ngaqë kisha dëshirë ta shihja Pejgamberin ﷺ duke i zbritur shpallja, Omeri më tha:

- Eja, a ke dëshirë ta shohësh Pejgamberin ﷺ duke i zbritur shpallja prej Allahut?

- Po, - i thashë.

Ai e ngriti skajin e rrobës, e unë e pashë: gërhiste siç gërhet i vogli i devesë.

Kur përfundoi (shpallja), tha: “Ku është ai që pyeti rreth umrës? Zhvishe xhyben, pastroje gjurmën e parfumit nga trupi, fshije të zverdhuarën dhe gjatë umrës vepro siç vepron në haxh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1789

Fjalë të panjohura?

1847. Nga: Jala ibn Umeje

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Atai, e këtij i ka treguar Safvan ibn Jalai se babai i tij Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha me të Dërguarin e Allahut ﷺ, i erdhi një burrë i veshur me një xhybe, në të cilën kishte gjurmë të verdhë parfumi ose diçka të ngjashme.”

Omeri më thoshte: “A ke dëshirë ta shohësh Pejgamberin ﷺ teksa i zbret shpallja? Sakaq, filloi t'i zbriste shpallja dhe, pasi përfundoi, iu përgjigj (pyetësit): “Në umrën tënde vepro siç vepron në haxh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1847

Fjalë të panjohura?