Sahihu i Buhariut — Hadithi 1587
43. Nënkapitulli: Vlera e vendit brenda kufijve mekas (haremit)
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “(Thuaju, o Muhamed): “Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti (Mekës), i Cili e ka bërë të shenjtë dhe të Cilit i përket gjithçka. Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij.” (Neml, 91) “Vallë, a nuk ua kemi mundësuar që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh? Por shumica e tyre nuk e dinë.” (Kasas, 57)
1587. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Xherir ibn Abdulhamidi, e ky nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se, Ditën e Çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar këtë qytet (Mekën). Andaj, nuk këputen ferrat në të, as trembet gjahu (gjuetia) e as e merr gjënë e humbur veçse ai që do ta shpallë ndër njerëz.”