Sahihu i Buhariut — Hadithi 1783
5. Nënkapitulli: Umra natën e fundit (të haxhit) dhe netët pas saj
1783. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ u nisëm për në haxh në fillim të muajit dhul hixhe. Pejgamberi ﷺ na tha: “Ai që dëshiron të hyjë në ihram për haxh, le të hyjë, e, ai që dëshiron të hyjë në ihram për umre, le të hyjë. Personalisht, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të kryeja edhe umrën.” Kështu, disa hynë në ihram për umre, kurse disa të tjerë vetëm për haxh. Unë isha në mesin e atyre që hynë në ihram për umre, por më erdhën menstruacionet dhe kështu më zuri dita e Arafatit. Iu ankova Pejgamberit ﷺ për këtë, e ai më tha: “Lëre umrën, shprishi gërshetat, krihi flokët dhe hyr në ihram për haxh.”
E, kur u bë nata e fundit (para kthimit), Pejgamberi ﷺ me mua e dërgoi Abdurrahmanin deri në Tenëim, ku hyra në ihram për umre, për të zëvendësuar umrën e parë (para haxhit).”