Sahihu i Buhariut — Hadithi 1821
2. Nënkapitulli: A i lejohet atij që është me ihram të hajë nga gjahu që e ka gjuajtur dhe nga gjahu që ia dhuron ai që nuk është në ihram?
Ibn Abasi dhe Enesi e lejonin therjen kur kjo nuk ishte gjah, sikurse devetë, delet, lopët, pulat dhe kuajt.
1821. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai se Abdullah ibn Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Vitin e Hudejbijes babai im u nis për në Mekë. Të gjithë shokët e tij hynë në ihram, përveç babait tim. Atëkohë, Pejgamberin ﷺ e lajmëruan se një armik do ta sulmojë në Gajka, por ai vazhdoi rrugën tutje.”
Babai im tregon: “Teksa isha me sahabët, që qeshnin me njëri-tjetrin, pashë një zebër. Sakaq, e sulmova, e godita dhe e vrava. U kërkova të më ndihmonin, por nuk më ndihmuan. Pasi hëngrëm mishin e gjahut, filluam të frikësoheshim se mos po mbesnim shumë mbrapa, andaj fillova ta kërkoja Pejgamberin ﷺ. Gjatë rrugës, herë e shpejtoja kalin, herë e ngadalësoja. Në mesnatë takova një pjesëtar të fisit benu gifar dhe i thashë: “Ku e ke lënë Pejgamberin ﷺ?”
Ai tha: “E kam lënë në Tahin, ndërsa gjatë ditës do të pushojë në Sukja.” Kështu, (kur arrita atje) i thashë: “O i Dërguari i Allahut, shokët e tu po të përshëndesin me selam dhe mëshirën e Allahut. Ata kanë frikë se mos armiku po i ndan prej teje, andaj priti.” Dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, e kam gjuajtur një zebër dhe më ka mbetur ca mish i saj. Ai u tha të pranishmëve: “Hani!”, edhe pse ishin në ihramë.”