Sahihu i Buhariut — Hadithi 1939
32. Nënkapitulli: Hixhamja dhe vjellja për agjëruesin
Jahja ibn Salihu më ka thënë: "Na ka treguar Muavije ibn Selame, e këtij i ka treguar Jahja nga Omer ibn Hakem ibn Thevbani se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën duke thënë: Nëse vjell, nuk e prish agjërimin, sepse me të nxjerr e nuk fut brenda. Përmendet se Ebu Hurejra ka thënë se vjellja e prish, por transmetimi i parë është më i saktë prej tij. Ibn Abasi dhe Ikrime kanë thënë: "Agjërimi prishet me atë që futet brenda, e jo me atë që del. Ibn Omeri e bënte hixhamen duke qenë agjërueshëm, por pastaj e la, andaj hixhamen e bënte gjatë natës. Ebu Musai e bëri hixhamen gjatë natës." Tregohet se Sadi, Zejd ibn Erkami dhe Umu Seleme kanë bërë hixhame duke qenë agjërueshëm. Bukejri transmeton nga Umu Alkame se ka thënë: "E bënim hixhamen (agjërueshëm) në prani të Aishes, e nuk na ndalonte." Transmetohet nga Haseni, e ky prej më shumë se një personi, nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që bën hixhame dhe atij që i bëhet.” Ajashi më ka thënë: "Na ka treguar Ebu Alai, e këtij i ka treguar Junusi nga Haseni, njëjtë, dhe se është pyetur për këtë hadith, a është nga Pejgamberi ﷺ?" - Po, - është përgjigjur. Pastaj ka thënë: "Allahu e di më së miri."
1939. Nga: Abdullah ibn Abasi
Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ka bërë hixhame duke qenë agjërueshëm.