Sahihu i Buhariut — Hadithi 324

23. Nënkapitulli: Pjesëmarrja e femrave me menstruacione në festimin e dy bajrameve dhe tubimet në lutjet e muslimanëve, porse i shmangen vendit të namazgjasë

324. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e ky nga Ejubi se Hafsa tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”

Një ditë, një grua erdhi në kullën e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse motra ime kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh.

Ajo citoi të motrën: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “A prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë (në Bajram)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ (duke thënë kështu e kështu)?”

- Po, kurban bëfsha babanë tim, - e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë, - e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin (për namazin e Bajramit) virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre dhe ato që janë me menstruacione - që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, ndërsa, ato me menstruacione të largohen prej namazgjahut”, - tha ajo.

- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.

- A nuk marrin pjesë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.

Referenca: Sahihu i Buhariut 324

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?