Hadithet e ngjashme me hadithin 324

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

351. Nga: Umu Atija Ensarja

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Ibrahimi, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Jemi urdhëruar që në ditë Bajrami t'i nxjerrim jashtë edhe femrat me menstruacione dhe vashat e reja (që veçoheshin në dhomat e tyre), që ta përjetojnë tubimin dhe lutjet e muslimanëve, me përjashtim që ato me menstruacione të largohen nga namazgjahu. Një grua pyeti: “O i Dërguari i Allahut, ndodh që ndonjëra prej nesh të mos ketë mantel. Pejgamberi ﷺ tha: “Le t'i huazojë shoqja shoqes një mantel.”

Abdullah ibn Rexhai ka thënë: “Na ka treguar Imrani, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Sirini, e këtij i ka treguar Umu Atija: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ...”, me tekst të njëjtë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 351

Fjalë të panjohura?

971. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Hafsi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Asimi, e ky nga Hafsa se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Urdhëroheshim të dilnim ditën e Bajramit, saqë dilnin edhe vashat e reja nga veçanet, e edhe ato me menstruacione, e të gjitha qëndronin mbrapa turmës së njerëzve, ku bënin tekbire dhe dua me ta. Shpresonin bekimin dhe faljen (e mëkateve) në atë ditë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 971

Fjalë të panjohura?

981. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Ibn Avniu, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U urdhëruam të dilnim (për Bajram) dhe t'i merrnim me vete gratë me menstruacione, virgjëreshat e reja dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre.” Ibn Avniu shton: “Ose ka thënë: “Virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre. Ato që ishin me menstruacione, thjesht merrnin pjesë në tubimin dhe lutjet e besimtarëve, por jo në namazgjah.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 981

Fjalë të panjohura?

324. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e ky nga Ejubi se Hafsa tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”

Një ditë, një grua erdhi në kullën e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse motra ime kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh.

Ajo citoi të motrën: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “A prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë (në Bajram)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ (duke thënë kështu e kështu)?”

- Po, kurban bëfsha babanë tim, - e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë, - e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin (për namazin e Bajramit) virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre dhe ato që janë me menstruacione - që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, ndërsa, ato me menstruacione të largohen prej namazgjahut”, - tha ajo.

- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.

- A nuk marrin pjesë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.

Referenca: Sahihu i Buhariut 324

Fjalë të panjohura?

980. Nga: Umu Atija Ensarja

Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi se Hafsa bint Sirini (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”

Një ditë, një grua erdhi në shtëpinë e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse ime motër kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh. Ajo citoi motrën e saj: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, a prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë në Bajram (gjatë faljes)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija, e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë kështu e kështu?”

- Kurban i bëfsha babanë tim (e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë). Po, e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - Ejubi është në mëdyshje, - dhe ato që janë me menstruacione që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, e, në namaz (të Bajramit), të mos bashkëngjiten ato me menstruacione”, - tha ajo.

- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.

- Po. A nuk prezantojnë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 980

Fjalë të panjohura?