Sahihu i Buhariut — Hadithi 377
18. Nënkapitulli: Të falurit e namazit mbi tarracë, minber ose dërrasë
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: "Haseni nuk e konsideronte problematike nëse dikush falet mbi akull ose mbi urë, edhe nëse urina qarkullon nën, mbi ose para saj, përderisa ka pengesë mes tyre. Ebu Hurejra ka falur namaz (me xhemat) duke qenë mbi kulm të xhamisë, kurse imami ishte brenda në xhami. Ibn Omeri është falur në borë."
377. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Ebu Hazimi tregon se Sehël ibn Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është pyetur: “Prej çfarë materiali ka qenë minberi (i Pejgamberit ﷺ)?”
Ai tha: “Përkitazi me këtë nuk ka mbetur dikush që është më i informuar se unë. E pati punuar filani, i çrobëruari i filanes, me brukën e Gabës, për Pejgamberin ﷺ. Pasi e vendosën në xhami, Pejgamberi ﷺ hipi në të dhe, i drejtuar nga kibla, mori tekbir dhe njerëzit iu bashkëngjitën namazit të tij. Filloi me lexim dhe më pas ra në ruku, e bashkë me të edhe njerëzit pas tij. Pas rukusë, u tërhoq mbrapa (zbriti nga minberi) dhe bëri sexhden në tokë. (Me t'u ngritur nga sexhdja), u ngjit në minber, lexoi, ra në ruku u ngrit nga rukuja dhe sërish u tërhoq mbrapa (zbriti nga minberi) dhe bëri sexhden në tokë. Ja, kështu qëndron çështja e minberit.”
Imam Buhariu tregon se Ahmed ibn Hanbeli e pyeti Ali ibn Medinin rreth këtij hadithi, e tha: “Desha të them se Pejgamberi ﷺ është falur në një vend më lart se njerëzit, andaj nuk prish punë asgjë nëse imami qëndron pak më sipër njerëzve, duke u argumentuar me këtë hadith.”
Ali ibn Medini i tha: “Sufjan ibn Ujejnen e pyesnin shpesh rreth kësaj tematike. A nuk e ke dëgjuar prej tij?”
- Jo, - tha imam Ahmedi.”