Sahihu i Buhariut — Hadithi 540
11. Nënkapitulli: Koha e namazit të drekës hyn sapo dielli ta kalojë kupën e qiellit
Xhabiri ka thënë: "Pejgamberi ﷺ falej në mesditë."
540. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e fali drekën pasi Dielli kishte kaluar kupën e qiellit. Pastaj, hipi në minber dhe na e kujtoi Kiametin. Përmendi disa momente madhështore të asaj dite, pastaj tha: “Nëse dikush dëshiron të pyesë diçka, le të pyesë. Përderisa nuk largohem nga ky vend, do t'ju përgjigjem për çdo gjë që më pyesni.” Njerëzit filluan të qanin me të madhe, e ai vazhdonte të thoshte: “Më pyetni!”
Abdullah ibn Hudhafe Sehmiu u ngrit dhe tha:
- Kë kam baba unë?
- “Baba e ke Hudhafen”, - tha Pejgamberi ﷺ dhe vazhdoi t'u thoshte: “Pyetmëni!”
Omeri u ul në gjunjë dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, Islamin për fe dhe Muhamedin ﷺ për Pejgamber. Pejgamberi ﷺ heshti, pastaj tha: “Pak më parë, m'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri në sipërfaqen e këtij muri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh.”