Sahihu i Buhariut — Hadithi 601
40. Nënkapitulli: Të qëndruarit zgjuar pas namazit të jacisë për të mësuar dhe për të bërë punë të mira
601. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullah ibn Omeri dhe Ebu Bekër ibn Ebu Hathme se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në fund të jetës, Pejgamberi ﷺ një natë e fali jacinë dhe, pasi e kreu, tha: “A po e shihni natën e sotme? Në krye të njëqind vjetëve nga sot, askush që jeton tani nuk do të mbetet i gjallë mbi sipërfaqen e tokës.”
Njerëzit e keqkuptuan fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe menduan se Kiameti do të ndodhë pas njëqind vjetësh. Mirëpo, fjala e tij “... askush që jeton tani, nuk do të mbetet i gjallë mbi sipërfaqen e tokës”, aludon se do të vdiste gjenerata në fjalë.”