Sahihu i Buhariut — Hadithi 610
6. Nënkapitulli: Si ndikon ezani në evitimin e derdhjes së gjaqeve?
610. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur Pejgamberi ﷺ donte të luftonte ndonjë popull, priste deri në mëngjes dhe vrojtonte. Nëse e dëgjonte ezanin, ndalej, e, nëse nuk e dëgjonte ezanin, i sulmonte.
Kur arritëm në Hajber, ishte natë. Kur agoi, Pejgamberi ﷺ nuk dëgjoi ezanin, andaj hipi në kafshën e tij. Unë hipa mbrapa Ebu Talhait, e këmba ime e prekte këmbën e Pejgamberit ﷺ. Banorët e Hajberit na dolën me mjetet e tyre të punës dhe, kur e panë Pejgamberin ﷺ, filluan të thërrasin: “Muhamedi, betohemi në Allahun! Muhamedi me ushtri.”
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ i pa kështu, tha: “Allahu ekber! Allahu ekber! U mposht Hajberi! Kur ne zbresim në mejdanin e një populli, sa mëngjes të shëmtuar gdhijnë ata që janë paralajmëruar!”